Impresion:



DIJA & POEZIA

....e thjeshtë dhe e bukur si zambak Prizreni,
e mistershme si fantazi persiane

Nga KOLEC TRABOINI

Leximi i poezive të Radije Hoxhës - Dijes nga Prishtina( lindur në Shkup) më shpalosi një botë ndjenjash e emocionesh si dhe mendimesh filozofike për kohën e njerëzit, për zjarrin e dashurisë e trishtimin e largimeve të akullta, largime vetmitare që herë herë na i mbushin zgavrrat e gjoksit me zemër akullnajash. Tek lexoja, meditova e u tundova bashkë me të. Shkova nëpër ato vende, vise e popuj pas gjurmëve të saj poetikë, shkova pranë atyre njerëzve, pranë atyre dhëmbjeve e gëzimeve, prane atyre riteve a besytnive, dëshirave në fantazi persiane që ajo i kishte prekur me flatrat e shpirtit. Pastaj u ktheva e u shtrova të pi një kafe me Nexhmije Pagarushen, miken e poetes Dije, bilbileshen e Kosovës, të cilës i putha dorën siç në eter, në rininë time, i kisha puthur zërin, atë zë që këndonte bareshen, zërin që elegjonte Rexhën dhëndërr, i vdekur në grazhd të kalit. Aso kohe kanë qënë kufijtë të mbyllur e shpirtërat e kyçur, kish frikë t’a takonte njeriu njeriun. Por falë Zotit erdhën kohë të tjera, erdhi shekulli i ri, e... Tung Pagarushë e bukur si Dielli! Ja ku të gjeta tek vargjet e Dijes.
U mundova që nëpërmjet poezive të lexoja njeriun. Diç arrita, megjithëse duhet lexuar edhe rrjeshti i fundit për të arritur tek njeriu që i ka filtruar vargjet përmes frymës së gjoksit. Është sa reale aq mistike Radije Hoxha, mjeke nga profesioni, shkrimtare nga pasioni. Dija-poete në strukturat poetike, në tërë qelizat, indet e mishërimin e tyre, bashkon mistiken e finesen Lindjes persiane, nga e ka çuar në mjaft vite udha e fatit dhe e detyrës, me mjeshtrinë e artit modern perendimor. Ndërkohë që është tokësore, e kapshme, e dukshme, aspak hermetike. Mendimet, ndjenjat dhe emocionet e saj janë të drejtpërdrejta, çdo gjë e punuar bukur si filigranë argjendari, deri në detajet më të imta, çfarë tregon se para se të shkoj Dija tek Poezia ka ardhur dhe e ka përqafur Poezia atë. Ndaj i shoh të përqafuar aq perjetësisht të dyja...Lum si ajo, Poezia që ka i ka hedhur krahet një krijese jo vetëm të mënçur, të ndjeshme por edhe të bukur... Por lum edhe si ajo, Dija, në atë dashuri për artin sublim që nuk ka mortje...E thjeshtë dhe e bukur si zambak Prizreni, e mistershme si fantazia persiane. Ndaj të duket, ndoshta jo gabueshem, se vetë Dija është një poezi.
Pas leximit impresionues e ndjeva për detyrë të krijoj një blog internetik prezantues për poeten Dije nga Prishtina, së pari që edhe të tjerët të shijojnë mrekullinë e poezisë së saj, së dyti për të kujtuar se mirënjohja është një nga aspektet e fisnikërisë së shpirtit, që kurrë nuk vdes si cilësi njerëzore. Një lexues duhet të jetë mirënjohës për një poet a poete që i ka shpalosur thellësitë e ndjesive e skutat e mendimit të vet. Tek lexoja librin e saj "Gjeniu pleqnon çmendinë time, u ndjeva mirënjohës, e thashë "të faleminderit Dije! Ma shfaqe shpirtin në duar si një pëllumb".
Këtë lloj komunikimi eteror e sublim ta jep si mundësi vetëm arti, ndaj, për hir të artit të magjisë së frymës e ndjesive, tërë botën le t’a mbjellim me trendafila. Dhe për Dijen nga Prishtina një tufë trendafila të kësaj pranvere lirie, gjithashtu…

Qershor 2008



Poezitë e Dijes nga Prishtina në blogun:

http://www.dija-poezi.blogspot.com