16 April 2008

PER VATHIN DHE FILMAT...

PËR VATHIN DHE FILMAT…
( nga libri "Bukuri shkodrane" esè 2007- Kolec Traboini)

Kurrë nuk mund ta harroj Vathin me atë qetësinë e urtësinë e tij, natyrën dashamirëse e të afrueshme që solli një frymë të re në redaksinë e filmit artistik në Kinostudio, si në nivelin artistik të skenarëve e filmave , ashtu dhe në komunikimin e harmonishëm me krijuesit. E kam takuar Vath Koreshin, atëherë kur ai mbase sapo kish botuar librin e tij të parë "Kur nisën shirat e vjeshtës". Si një 17 vjeçar i dashuruar pas poezisë i kërkova një këshillë aso kohe mësueses sime kujdestare të klasës Vangjeli Çomora. Isha në vitin e parë të shkollës petagogjike 2-vjeçare në Tiranë. Mësuese Vangjelia, me natyrën e saj të urtë e mirëdashëse më afroi një takim me shkrimtarin Spiro Çomora, i cili ishte i shoqi i saj. I dojtur siç isha, pas fjaleve inkurajuese që më dha Spiro Çomora, ndoqa këshillën e tij. Më tha të shkoj të takoj ndonjë nga redaksia e gazetës "Zëri i Rinisë". E kështu, një ditë me vjershat e mia që buçisnin euforinë e kohës, u gjenda përpara dy burrave ndër të cilët, njëri ishte i gjatë e tjetri i shkurtër e disi zieshkan. Ju drejtova atij që ishte më i gjatë, se mu duk me serioz dhe i vura në dorë tufëzën e poezive. Ai i mori mirëpo u gjend ngusht, sepse siç tha, do të shkonte në një takim pune dhe i foli zeshkanit duke ju drejtuar me emrin Loni. Mirë Vathi, i tha Loni dhe nga kjo unë mora vesh emrat e redaktorëve të gazetës. Me Lonin e zeshkët ndenja rreth dhjetë minuta, kohë kjo e mjaftueshme për të më bindur se euforia me të cilën kisha shkruar duhej harruar. Loni më tha t'i përpunoja e të shkoja përsëri, por nuk më bëhej më të shkoja, sepse më dukej shumë më e vështirë se të jepja një provim.
Emrin e Vath Koreshit më pas e kam lexuar në tregimet e faqes letrare të gazetës "Zeri i rinise", por ai emër mu bë më i pranishëm kur u gjenda ushtar për dy vjet në Kam të Tropojes. Minatorët e minierës së Kamit, për të cilët shkruaja e botoja ndonjë përshkrim a reportazh, më flisnin gjithnjë me admirim për Vath Koreshin. Disa vite më parë kishte qenë teknik në këtë minierë dhe kishte lënë mbresa të jashtëzakonshme. Në atë minierë në vitin 1958 kish shkruar dhe tregimin e tij lirik, "Kur zunë shirat e vjeshtës", që ishte vendosur si subjekt diku në Stanbobo të Devollit. Ndoshta motivet e Kamit, minierës me një jetë të zymtë ku vdekja u rrinte minatorëve çdo çast mbi kokë, do të duheshin vite që të ngjizeshin në ndonjë vepër. Kohë më vonë, kur lexova një roman të Vath Koreshit, aty ndjeva, indirekt natyrisht, jetën e egër të minierës së Kamit, ku kromi nxirrej jo me djersë, por me gjak.
Në vitin 1977 Vath Koreshi u prezantua në kolektivin tonë krijues si përgjegjësi i ri i redaksisë së filmit artistik. Ishte kohë tepër e vështirë për Kinostudion, për vetë faktin se partia shtet kërkonte të bënte sfida aventuroze me kinematografinë me qëllime propogande dy planëshe, si për publikun shqiptar, ashtu dhe atë të huaj, qoftë nëpër festivale apo shfaqje për "miqtë" marksistë-leninistë nëpër ambasada.
Ministra si Tefta Cami, apo estetë të partishëm si Alfred Uçi që drejtonte Komitetin e Kultures edhe Arteve, mbështetur edhe nga urdhëruesi i rreptë që vinte nga Komiteti Qëndror, shkrimtari i puseve të naftës si Anastas Kondo nuk pranonin asnjë arsyetim veç prodhimit të 14-15 filmave artistike e 50 filmave dokumentarë në vit, e çdo mosrealizim ishte kundërshtim i vijës së partisë. Aso kohe isha përgjegjës i redaksisë së filmit dokumentar dhe ky urdhër na binte si çekan në kokë çdo ditë. Nuk guxoje të thoje një realitet, që, në kushtet e një teknologjie relativisht të prapambetur ishte e pamundur të realizoheshin aq shumë filma. Mirëpo partia i kish vënë në program. Enver Hoxha i lexonte në kongrese si suksese të partisë. Ec e mos i bëj. Vath Koreshi ishte ndër ata që me kurajo e përcillte mendimin e kolektivit krijues në ministri, për pamundësinë e realizimit të këtij plani të fryrë, e jo real. Ish-titullari i lartë Alfred Uçi e pohoi kohët e fundit në një kujtim për Vath Koreshin se çfarë Vathi i kish thënë, por natyrisht në atë shkrim ish-titullari nuk thotë se çfarë fjalimesh mbante në analizat e ministrisë, apo të Kinostudios, se si ja jepte tonin fjalës urdhëruese "Të bëhen!" Tani në Shqipëri janë demokratë të gjithë, jo vetëm ata që ishin të internuar baltrave të Myzeqesë, por edhe ata, të cilët nga dikasteret e ministritë jepnin urdhëra të verbër, sikur të kishin parasysh shata, lopata, kazma, makina, e jo njerëz. Sot edhe një ish ministër i diktaturës e ka fort të lehtë të shfaqet në publik si një njeri me shpirt demokrati. Të gjithe lugë e lame…
Fliste Vath Koreshi, fliste arsyeshëm e urtë regjisori Gëzim Erebara, i maturi e profesionali Dhimitër Anagnosti, fliste edhe Saimir Kumbaro, Kujtim Çashku, ndërkohë që Rikard Ljarja edhe pse guxonte, mblidhte supet nga halli se ja kishin nxirë kartelën personale në zyrën e kuadrit për një dajë…. që na paskesh qenë diku e dikur në radio BBC.
Po dale, thoshnin Muharrem Fejzo, Piro Milkani e Esat Mysliu, vërtetë, a mund t’i bëjmë këto 14-15 filma? Ministresha, mësuese fshati që nuk e kishte idenë e filmit, ngrihej e ikte pa dëgjuar kurrfarë arsyetimi, titullari estet ua linte telashin në derë drejtorit Vangjush Zallëmi dhe udhëheqësit artistik, regjisorit Kristaq Dhamo.
Anastas Kondo, i cili ishte këmbora e madhe e Komitetit Qëndror për Artet mbyllte sytë tek mbante fjalime të merzitëshme para kolektivit të Kinostudios në analizat vjetore, e recitonte fjalë si, " Si mund t'i themi partisë e shokut Enver që Kinostudio nuk i bën filmat?!" dhe rrinte e tororiste ca shprehje që salla e mbushur plot me krijues dhe punonjës të tjerë nuk i mirrte vesh.
Si për gjithë kolektivin edhe për Vath Koreshin ka qenë një punë e stërmundimshme, sepse veç skenarëve lindnin shumë probleme krijuese, për të cilat ishte i detyruar të shkonte edhe pranë grupeve të xhirimit. Pas 6 vjet pune të lodhshme, Vath Koreshi kërkoi të dalë në krijimtari të lirë. Por gjithnjë edhe kur shkoi drejtor drejtorie për Artet, edhe kur u emërua Ministër i Kulturës, edhe kur ishte deputet, edhe kur shkruante vepra të mirënjohura si "Haxhiu i Frakullës", "Ulku dhe Uilli", " Një grua me të verdha në kopshtin e Budës", "Çafka", gjithnjë e gjithnjë e kishte mendjen tek filmi me të cilin nuk u nda kurrë, jo vetëm si autor i 21 skenarëve të filmave artistikë ndër të cilët, "Gjeneral Gramafoni", "Balada e Kurbinit", "Dasma e Sakos", "Porta Eva" e deri tek "Syri magjik", por edhe nëpër dhjetëra e dhjetëra filma të tjerë ku është ndjerë dora e mjeshtria e tij si skenarist, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë shqiptare. Kushdo që e ka njohur, vdekjen e tij e ndjeu si plagë, sepse Vath Koreshi kishte një shpirt të mirë e zemër të bardhë.
Tragjikisht vdiq nga zemra , nga zemra që kishte aq shumë dashuri për njerëzit.

* * *
Kur ke jetuar gjatë larg Atdheut kthehesh me nostalgjinë e miqve. Sheh tek ata lodhjen e jetës, ndryshimin që shpesh herë tek vetja nuk e ndjen, por tek të tjerët i dallon kur i ke lënë të rinj e plot energji, e i gjen të zbardhur, të rrudhur, të plakur. Atëherë e ndjen çfarë janë pesë, dhjetë, apo pesëmbëdhjetë vjet për njeriun... ato pesëmbëdhjetë vjet që brenda vetes kanë rrjedhur shpejt, si lumë... dhe papritur merr lajmin e hidhur se i njohuri, miku, i afërmi... ka ndrruar jetë e kurr më nuk do ta takosh....


Autori i shkrimit gjatë diskutimit në festivalin e filmit 1986