Jehonë krijuese nga Selaniku





"DEGA E BLERTË" E PAQËS DHE SHOQATA-MANJAKËT E LUFTËS


Nga KOLEC TRABOINI

Padyshim që dëshira për të qënë pranë njeri-tjetrit, ndër krijuesit e letërsisë është krejt e natyrshme, është kompensim i vetmisë së proçesit krijues, ndaj grupimin e sapo krijuar me emrin "Dega e blertë", njeriu ndjen kënaqesi ta urojë me gjithë zemër. Le të bëhet ky grupim një vatër e ngrohtë ku të zotërojë fryma e mirëkuptimit dhe e harmonisë në mes të krijuesve emigrantë shqiptarë e pse jo edhe në bashkëpunim me shkrimtarët e krijuesit vendas në qytetin e bukur të Selanikut.
Meqë lidhjet e shoqatat janë një fenomen i shumuar ndër shqiptarët emigrantë shpërndarë në Europë dhe Amerikë, do të desha të shpreh një mendim, që gjatë 18 vjetëve në mërgim në këto dy hapsira kontinentale më ka shqetësuar.
Po krijojmë më shumë shoqata se shqiptarë, janë të panumurta këto shoqata që shpesh u vemë emra të mëdhej kur antarësia është fort e vogël dhe veprimtaria
po aq e pakët. Në fakt emri që kanë zgjedhur krijuesit emigrantë shqiptarë të Selanikut "Dega e blertë" më duket sa modestë aq dhe poetike, por fjalën më tepër e kam për ata që shfaqen me pretendime shpesh herë marramëndëse e tymnajore. Këta njerëz të shoqatamanive gjithpërfshirëse duhet të kuptojnë se sot është e vështire të krijohen shoqata të mëdha. Fakti që u shua edhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërise, tregon mjaft. Nuk po i hymë analizës së thellë se pse u shkatrrua ajo krijesë e një sistemi të falimentuar. Mjafton të themi se heqja e bazës materiale, ndërtesës së Lidhjes, ishte një preteks, por kurrësesi shkaku i vertetë… Them kështu sepse shoqatën, disa e shihnin si një lopë për ta mjelur. Një shoqatë nuk duhet të krijohet e as të shikohet mbi baza të tilla interesash materiale se pastaj shumë shpejt bie viktimë e egoistëve dhe karieristëve që nuk janë të pakët. Është mbase koha e grupimeve të vogla, që i bashkon jo thjeshtë dëshira për të shkruar por edhe platforma estetike.Në botë grupimet shpesh janë bërë pikërisht mbi bazen e platformave e të ideve, stileve, gjinive letrare. Këto gjithmonë kanë qënë më të qëndrueshme, me të efektshme dhe kanë bërë emër madje edhe në historinë e letërsisë. Ta zëmë "Beat Generation", që u formua në 1950, për një dhjetëvjeçar i dha tonin letërsisë amerikane duke ndikuar edhe në artet e tjera. Ata konsideroheshin bohemian e hedonist, lëvizja e hipive nga ata është frymëzuar paçka se nuk kishin të bënin me artin e letërsinë por me konceptin e jetesës dhe dëshirën për aventura. Allen Ginsberg poet e Zhak Kerauk, shkrimtar, ishin udhëheqësit e këtij grupimi që nuk ishte më i madh se ta zeme gishtat e dy duarve të bashkuara.

Kerouak, Ginsberg, Orlovski në këmbë ,
nd
ërsa ulur Korso dhe vellai i Orlovskit,
Lafkadio gjat
ë një udhëtimi në Meksikë .

Krijimi i grupimeve letrare e artistike nuk mendoj se duhet te bëhet pa një synim të caktuar, jo thjeshtë për tu takuar e pirë një kafe, por në bazën e një platforme. Ai duhet të jetë një mjedis ku të gëlojne idetë e mendimet, shqetësimet, të zgjoje artistët e vertetë nga letargjia, që punët e letërsisë, të poezisë në veçanti, ti marrin ata qe i janë përkushtuar asaj. Pra për ti thënë mediokritetit e përdhosjes që i është bërë deri më tani poezisë e në tërësi letërsisë...mjaftë më!
Vetëm këtu i shoh vlerat e krijimit të grupimeve të krijuesve, e jo shoqatave të mëdha ku hyjnë të gjithë, madje edhe ata që vazhdojne ti bien ziles së mushkave në letërsi si qëmoti, që i mbajnë vargjet e rilindasve si model i të gjitha kohrave, kur letërsia ka ikur një shekull larg prej kohës së tyre,
apo aq më keq kur shoqatat aklimatizohen si çajtore fjalamanësh, ku i krrehin bishtin njëri tjetrit për çdo vargëzim banal prej injoranteve të letërsisë.
Pra në afirmimin e vlerave, në daljen me një platformë krijuese, në të thënit publik se deri më tash kushdo është mbiquar poet, por poet e shkrimtar të bën puna e jo mburrja, të bën përpjekja individuale e jo shoqatat ku mund të dalin në krye madje edhe ata që nuk dinë të shkruajnë as gjuhën shqipe. Aq më tepër shoqatat nuk duhet të krijohen për karrshillek, fudullëk, se, e bëre ti ja e bëj edhe unë. O zot çfarë mëndësie krijon njeriu, çfarë nuk po na dëgjojnë veshët, ku nuk të çoka deliri. Bëhemi dëshmitarë por akoma më keq edhe viktima të një lloj mediokrriteti të ligjëruar madje edhe në masmedia. Ja t’ju rrëfehem që të bindeni se sa mekanizma të verbëra bëhen shoqatat. Vetëm pse pata guximin ta kritikoj kryetarin e praktikat e tij si në kohën e kultit, kryetari i radhës i shoqatës (së shkrimtarëve i thënçin), këtu në Amerikë pra, mblodhi tre servilat e kryesisë dhe e pashë vetën jashtë unë që kisha kontribuar për ta krijuar. Por natyrisht synime e mia ishin krejt të tjera, ndryshe nga se u përdor kjo paloshoqatë, që sot është kthyer në një hije edhe për faktin se kanë ardhur në kryesi njerëz anonime në letërsi...Se çfarë kualitetesh ka kryesia mjafton t’ju sjell një shëmbull të freskët. Këto ditë një antar i kryesisë së ashtquajtur shkrimtarëve, ka paraqitur në internet si të vetin nje tregim që nuk është kurrgjë tjetër veçse përkthim i keq i një tregimi të një autori amerikan. Këta janë shkrimtarët e drejtuesit e shoqatës së shkrimtareve Shashka e shqipove të Amerikës. Ky vertetë është një subjekt për letërsi satirike, diçka si shoku Zylo.Sepse Zylot vazhdojnë në demokraci, madje deri edhe në Amerikë kanë gjetur shtigje të çajnë ferrën,
kanë marrë revan edhe si estetë. Duke mos pas gjë në torbë por as dhe gjë prej gjëje në kokë, sjellin receta se si duhet bërë letërsia madje edhe kritika. Këto njerëz i dinë të gjitha. I dinë të gjitha e nuk dinë kurrgjë. Jo, jo, kësisoj shoqatash e kësisoj mëndësi të njerëzve shtërp në talent por mjeshtra në djallëzi, u duhet qëndruar larg.Më mirë të mos krijohen, të shpëtojmë nga shabllonizmi bolshevik, ku shoqatat letrare ishin kthyer si koperativa bujqësore.
Shihni se si përfundoi edhe çerdhja e grenxave shkrimtare në Tiranë. Nuk ka më shoqatë shkrimtarësh tip bolshevik, ku mund të manipulohet e spekullohet e ku antivlerat shitën si vlera e drejtuesit fryhen si gjela. Po jep frymë një kohe fodulle paçka se viruset e antivlerave nuk mund te shkoqen lehtë.


Dhe një problem është se shpesh kryetarët kthehen nga shkrimtarë në funksionarë, që e përdorin shoqatën si një instrument për vetshkelqim personal. Mendoj se grupimet mbi baza platformash estetike e interesash krijuese nuk kanë nevojë për president as të përjetshëm e as të përkohshëm, nuk lind nevoja as për rregullore të gjata, por vetëm katër pesë pika si platformë dhe pa kryetar, por një njeri që zgjidhet çdo një ase në dy vite si kordinator.Kush është ai poet i vertetë që pranon të ketë mbi kokë një kryetar. Unë, për veten time, nuk pranoj kurrfarë kryetari apo kryetareshe. Ata që duan president, kryetar, nënkryetar, sekretar apo zëdhënëse, të shkojnë tek shoqata e mallrave me shumicë, tek GABI i letrave shqipo-amerikane ku drejtojnë njerëz me kollaro e papion edhe në mes të gushtit, pra tek shashka e plagjiaturistëve që i hedhin grepat në internet si peshkatarë të zellshëm. Në asisoj shoqatash mediokrre, çdo njeri me një sy e ndjen veten mbreti i qorrave. Do të pranoja të grupohesha vetëm në një listë autoresh shqiptaro amerikanë apo me gjërë, të cilët i vlerësoj si kualitete letrare, pena të përkushtuara, kallij kokëulur e bukëplotë. Të tjerët nuk më interesojnë, paçka se mund të jenë edhe pronarë restorantesh. Ja vlen të merresh vetëm me njerëz të cilët poezinë por edhe artin në përgjithësi e kanë qëllim të jetës e me punë të përkushtuar kanë krijuar vlera të dukshme dhe kanë individualitet e dinjitet artistik. A jemi të zotë të krijojmë një klub të tille poetik, eja ta krijojmë por vetëm e vetem me vlera. Mbi këtë bazë mendoj se ja vlen të bashkohesh me krijues të tjerë, në mos tërhiqu në një qoshe sepse vetmia është fort e dobishmë se bashkësia e atyre që mungesen e talentit e kompensojnë me intriga e ligësi.Ky lloj grupimi estetik , mendoj unë, nuk do të kishte protokolle, as mbledhje e as zgjedhje. Dhe kryetar nderi mbetet të jetë më i vjetri në moshe, një lloj dekani, sepse çdo poet është i barabartë në mes të barabartëve. Tërë qëllimi është të kordinohen veprime për të afirmuar vlera qoftë brenda dhe jashtë grupit, natyrisht do të ftoheshin në pjesmarrje e veprimtari plot të tjerë pasionantë të letërsisë, gjithnjë duke patur prioritet kualitete letrare, ata që artin poetik para së gjithash e kanë përkushtim deri në dhëmbje. Fakti që edhe me rastin e krijimit të "Degës së blertë" ndokush po përpiqet të afishoj vetën ende pa u krijuar ky grupim, në përpjekje mesaduket për ta tërhequr pas kalit të vet, e për ta kundërvënë ndaj të tjerëve, shoqata a individë qofshin, nuk është shënjë e mirë. Kjo tregon se mbahemi me mish e me shpirt në mentalitetin e shoqatave të cilat tek njera-tjetra shohin kundërshtarë, madje dhe armiq. Dhe këta njerëz me frymë luftënxitëse quhen a vetquhen shkrimtarë?.... Ndoshta edhe janë! Por veç si shumë talent po shpenzojnë me makinacione e fjalomani publike.
Gjithësesi, "Dega e blertë" e krijuesve të Selanikut qoftë një klub miqësh, një grupim i hapur, që të mos hezitojë të bashkpunojë me krijues e grupime të tjera sepse klubet e shkrimtareve nuk janë shtabe lufte por forume paqeje. Le të jetë kjo vath në vesh për ca ish miq krijues të Athinës, që edhe pse në mërgimin e halleve, po shkrijnë plorët për të bërë shpata. Në ardhtë puna deri këtu, mjerë letërsia që krijojmë! Mos o Zot!

2 mars 2008.