PAS NJË VRASJE NË NEVADA

PAS NJË VRASJE NË NEVADA…

Deshira Selimaj nuk do ta festojë kurrë më 8 Marsin


nga KOLEC TRABOINI


Ca zonja veprimtare të posaqisuna në dëshira gëzimesh kolektive, kanë afishuar në internet ca lajme për festimin e 8 Marsit me gratë shqiptaro-amerikane. Mirë kanë bërë si për organizimin edhe për njoftimin. Ta marrim vesh edhe ne burrat, ta marrin vesh madje mbarë shqiptarët e botës (edhe në Kinë nëse ka ndonjë shqiptar vetanak) se aksh e yksh organizatore në Nju Jork, ftojnë aq e kaq gra, të cilat duhet të paguajnë nga 40 dollarë për tu tubuar në një a dy restorante të metropolit më të madh të botës.
Deri këtu çdo gjë është e zakonëshme. Madje, që tani është gati diçitura “Ju lumtë grave emigrante që shpalosin virtute të mëdha!” , nga ndonjë gazetë marroqe në Shqipëri, që boton çdo lloj llustra-shkrimi që u servirin që këndej Atllantikut. E pazakonëshme është ajo për të cilën do të flas më poshtë, duke ju drejtuar drejtpërdrejtë e publikisht këtyre zonjave, kushdo e kudo qofshin, por kryesisht nisiatoreve 8 marsiane të festimit në Nju Jork:
O ju gra të nderuara shqiptare veprimtare, shpresoj të çliruara nga makthet e festimeve të një kohe të perënduar; gëzuar! Është në nderin tim që në krye të këtij shkrimi t'ju uroj! Që të gëzoni është në të drejten tuaj, në 8 a 18-tën ditë të marsit qoftë festimi, nuk ka rëndësi. Ngarkesat ideologjike të datave janë jashtë interesit tim, sepse shpesh shprehin simbole që fare pak ngarkesa emocionale u kanë mbetur. Rëndësi ka që ju,
që i kujtoni me nderim gratë e rrobaqepsisë së Nju Jorkut, të cilat u dogjën nga një zjarr aksidental (dritë u pastë shpirti) para një shekulli, a mund të nderoni sadopak edhe një shqiptare emigrante? Nënë si ju, me dëshira jete si ju, që edhe emrin e kish simbolikisht të bukur, Deshirë.
Dëshira Selimaj është lindur me 19 qershor 1965, në Durrës.
Ajo ishte më e madhja e 10 fëmijeve dhe i ra barra të punonte që në moshë të re për të ndihmuar familjen. Ajo u martua me Zyber Selimaj në vitin 1992. Të dy e kishin ëndërr të zjarrtë ta ndertonin jetën në Amerike. Kur kjo mundësi ju dha u vendosen në Dallas ku jetuan 2 vjet. Me pas shkuan në Henderson af
ërsi të Las Vegasit ku jetuan që 8 vjet. Të dy u bënë qytetar amerikanë dhe linden tre djem. Pra Deshira Selimajn, 42 vjeçare, që një polic në Nevada e vrau dy ditë para Shën Valentinit në mes të rrugës, në prani të fëmijeve e të burrit të vet. Vrasje kjo me një pretekst banal “vetmbrojtje”, për të cilën edhe qytetarët amerikanë reagojnë e shkruajnë me indinjatë në gazetën e Las Vegasit. Shkruajnë e kanë dhimbje amerikanët, por heshtni ju, kurrqysh pa ju vajtur mendja se ekziston edhe fjala ngushëllim për ata që mbetën gjallë, e çfarë përbën traditën e mrekullueshme shqiptare, që nuk e lënë njeriun ta përballojë vuajtjen në vetmi: “në dhimbje tjetrit t’i shkosh e sa për gëzime, si ta kesh punën”.
Ta gëzoni festen pra, por, krye kreje, shprehni dhimbjen për humbjen e një nënë, që la tre fëmije nëpër këmbë, ende të parritur, një baba-burrë, Zyber Selimaj, që ka bërë 22 vjet burg politik nën diktaturë për një fjalë goje, e tash në moshën 65 vjeçare ka një tragjedi në shpirt, sa nuk u përmbajt e u tha gazetarëve të "Las Vegas Sun"( Dielli i Las Vegasit) se, " edhe në Shqipërine komuniste, polici nuk e vriste nënën në sy të fëmijëve të vet ". E këto i thotë me dëshprim një njeri që ka qënë në burg, që nuk priste që një polic 23 vjeçar me emrin Luke Morrison, në këtë vend të lirisë së admirueshme, për çfardo shkaku e me çfardo arsyetimi, t’a bente këtë gjëmë mbi një nënë, duke lene jetim tre femije Arberin 5, Azbi 7 dhe Albanin 11.
Ndaj... të gëzojmë se jetojmë, sepse kemi plot shkaqe të gëzojmë në këtë vend lirie, por të kemi e të shprehim dhimbje për njëri-tjetrin. Ishte emocionues e dinjitoz ngushëllimi masiv i emigrantëve shqiptarë nëpër botë, për vdekjen e parakohëshme të gazetarit emigrant Lavdërim Terziu në Londër. Të jemi më njerëzor është ajo çfarë na kushton më pak e megjithatë është më e rëndësishmja, nëse e marrim si etalon për të përcaktuar shkallën e zhvillimit e të kulturës të një shoqërie njerëzore. Që të mos ndodhin tragjedira si ajo e Deshira Selimajt, është e nevojshme t’ua ushqejmë fëmijëve, nipërve e mbesave respektin e dashurine për jeten, jo vetëm të vetes por edhe të tjerëve. Apo e kam gabim, zonja organizatore festash, që shfaqeni edhe si gazetare të komunitetit shqiptar, jeni edhe nëna? Mos vallë heshtja juaj ndaj kësaj tragjedie, e pangjarë në llojin e vet, është një llogari e ftohtë, me shkakun, ose nën mentalitetin se, të dënosh një akt vrasje të një emigrantje prej një polici amerikan, mund të keqinterpretohet si antiamerikanizëm.Kush e di… Nuk dua ta besoj, por heshtja juaj, qoftë si organizata grash emigrante e qoftë si individ, mjerisht për këtë flet. Droja se… ! Por kjo nuk është shkak serioz. Nuk e bëri krimin Amerika, por një individ i veshur me një uniformë të nderuar e respektuar, por që për mendimin tim nuk e meritonte.
Çfardo të ketë qënë motivi i vrasjes, personalisht si qytetar i këtij vendi, Amerikës pra,
por edhe si shqiptar, publikisht e dënoj vrasjen e një nënë emigrante në sytë e fëmijëve të vet. Eshte akt mizor, traumatik e me pasoja psiqike katastrofale për tre jetë femijësh. Është njësoj si të kesh vrarë edhe ata tre djem bashkë me nënën e tyre. Kurrkush nuk mund të vritet kështu. Asnjë nënë amerikane. Sepse Deshira Selimaj, pavarësisht se ishte shqiptare, po rriste fëmijë amerikanë, që i përkasin që në lindje këtij vendi e këtij populli, që lumturisht (e për këtë është i bekuar atdheu i Abraham Linkolnit), nuk di të bëjë dallime, të ardhurit i pret me dashuri, u jep strehe, punë, u jep mundësi të paimagjinueshme për përparim e shkollim e kurrë nuk i vështron me urrejtje.
Ndaj nuk gjej kurrnji motiv në heshtje tuaj, ju gra shqiptaro-amerikane që i keni dalë për zot punëve të komunitetit në tubime, veç drojen e frikën, që mbijeton tinëzisht si atavizëm i një kohe që historia ja dha varrit e ne, nuk kemi shkak ende të vuajmë në ndërgjegje prej saj, sepse… falë kësaj Amerike, që e mposhti komunizmin, u gremis një herë e përgjithmonë ngrehina shtypse e frikës në shpirtin e njeriut…
A nuk u përsqullëm deri në jargavitje shtypi e deklarimesh e përbetimesh publike besnikerie,
madje edhe nga zyrtarë medioker shqiptarë, pse katër të çmëndur, fanatikë shqipo-maqedonas, deshën të hidhnin në erë gazermat e Fort Diksonit në Nju Xhersi. Mesa duket ndergjegja jonë ende vuan komplekset e imponuara të monizmit për fajin kolektiv.

E megjithatë gëzuar! Lexojeni këtë urim në festen tuaj. Edhe foton e Deshira Selimajt, që nuk do ta festojë kurrë më 8 Marsin, po jua dergoj bashkëngjitur me këtë urim. Vini diku në një kënd një karrike simbolike bosh, një tufë lule mund të gjendet, vini në një tryezë një qiri para fotografisë së saj. Dhe mos u kurseni të gëzoni, është e drejta legjitime e lumturisë së ekzistencës, por me pak dhimbje gjithësesi, se jeta vertetë vazhdon, por veç fisnikërisht duhet vazhduar...

shkurt 2008




Kush dëshëron të ndihmojë familjes Selimaj mund të dërgojë mjete financiare në këtë adresë:
Donations the Selimaj Family Fund

(at any Nevada State Bank),
Account #0008136624,

ose me postë:

P.O. Box 90533,
Henderson, NV 89009-0533.