Kosova: një shekull luftë- një shekull gjak- shkrime të vitit 1998-99 nga Kolec Traboini



Nga KOLEC TRABOINI
 
  DJEMTË E UÇK-së
 
- Djemtë e UÇK-së janë Danko-t e popullit shqiptar -
(Publikuar në internet me 31 mars 1998)
Çeshtjet e Atdheut janë kardinale. Përpara interesave të larta nuk peshon as një rrëke e as një lumë gjaku - po të mendonin ndryshe të parët tanë, nuk do të kishim as histori, as Shqipëri, do të ishim mbuluar nga pluhuri i harresës, do të ishim tjetërsuar. Është e natyrshme se mjaft shqiptarëve që rrojnë vetëm për dyshekun e ngrohtë dhe rehatinë e stomakut - si në të kaluarën por edhe tani, u vjen për osh ky tjetërsim. Mirëpo asnjë komb e asnjë popull nuk mbështetet tek renegatët e tij por tek bijtë më të devotshëm. Me ketë vlerësim nuk dua të aludoj për asnjeri - kur analizojmë fenomene nuk flasim për njerëz konkret. Duhet kuptuar se kanë ardhur kohëra dramatike, të ndërlikuara dhe për fat të keq, kohës nuk i përgjigjen dot brezat e sotëm, nuk dalin dot forca udhëheqëse dhe organizuese, nuk dalin dot figura me potenciale të mëdha organizimi për realizimin e qëllimit kombëtar- përkundrazi vëmë re se kush e kush po e largon sherrin nga vehtja. Vetëm një Abaz Ermenji, figura e vetme e brezit të luftës që merr pjese aktive në jetën e vendit - është bërë i gjallë dhe ka shprehur angazhimin e tij. Të tjerët fjalë në erë. Pra në këto kushte të një fryme gjoja pacifiste, por që në thelb është disfatiste - a duhet ne të tregohemi nihilistë me ata të cilët kanë marrë përsipër një rrugë me qellime të larta e për të cilën kanë vënë kokën në torbë. E kam fjalen pikërisht për antarët e UÇK-së, organizatë emri i të cilës po lakohet mbarë e mbrapsht. Dikush kapet pas asaj që ka thënë Rugova si "segment serb"- mirëpo një mendje e kthjelltë e kupton mirëfilli se kjo është një diplomaci e Rugovës e jo një vlerësim real i kësaj organizate. Ndërsa në luftë ndiqet parimi kush t’ja ngeci tjetrit plumbin, në politikë kush t’ja ngeci njeri-tjetrit mbrapshtitë, prandaj Rugovës i interesonte si më parë dhe tani që t’ja vesh Sllobodanit e jo politikës se vet (gandiane- paqësore), radikalizimin e gjendjes. Fakti është se deri në masakrën e Drenicës, Rugova si dhe Sllobodani kanë ndjekur politikën e mos-ndryshimin të gjendjes, statukuos - pra të dy figurat toleronin me njëri-tjetrin. Rugova nuk bëri madje as dhe një demonstratë të vetme, nuk mblodhi parlamentin, e tërë lufta e tij u bë foltorja javore në ca konferenca shtypi prej të cilave ferrë në këmbë nuk i hyri Sllobodanit. Nga ana e tij Sllobo e toleroi Rogovën duke e lejuar të bënte paradat e shtypit si dhe të varavingove nëpër kancelaritë e pothuaj tërë botës - rezultati i të cilave ishte një hiç mos këput- kurrkush dhe kurrkund nuk e përkrahu as Qeverinë e Kosovës e as e njohu si Republikë e as si shtet. Në këto kushte dolën forca nga gjiri i popullit shqiptar të Kosovës që kërkonin me insistim prishjen e gjendjes së statukuosë dhe këta janë UÇK-ja - pra Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Mirë keq, fakti është se statukonë e prishi kjo e vetëm kjo. Me parullën "koha punon për ne", Rugova e politikanë të tjerë do të vazhdonin deri në pafundësi një gjendje shtypje e pa rrugëzgjidhje. Kjo që themi nuk është gjë e re, e thonë dhe e pranojnë të gjithë analistet e huaj. Në këtë situatë ne kemi dy rrugë, ose do të shprehim simpatinë për Djemtë e UÇK-së, ose do të jemi indiferent ndaj tyre duke u distancuar për të mos thënë më shumë. Gjithsesi, çdo shqiptar me kombësi dhe me shpirt, i rrugës pacifiste apo luftarake, apo dhe ata me të mefshtit, duhet ta kenë të qartë se në qoftë se ne nuk jemi të zot të bëjmë atë që bëjnë të tjerët - pra të jemi në krye të atyre që venë zemrën e vet në altarin e kombit,- të paktën të mos i pengojmë ata që kanë një tjetër vizion - që kanë aspiratën e lartë për tu bërë Danko për popullin e vet.
Të gjithë e dinë se sipas legjendës, Danko nxori zemrën e tij nga gjoksi e me të në dorë çau errësirën e pyjeve dhe udhëhoqi popullin e vet drejt dritës - mirëpo jo të gjithë mund ta bëjnë këtë sakrificë vetëmohimi. Në Kosovë këtë po e bëjnë djemtë trima të UÇK , të cilët sot janë Dankot e popullit shqiptar në tërë trevat tona të Ballkanit.
Ata po shkruajnë histori - ndërsa ne për fat të keq po zhargitemi! Deri kur?! 

 31 Mars 1998 

"Albanian Gazette of Boston"

EPILOGU I NJË KRIMI BIBLIK
 
Përderisa Shalli i Rugovës nuk është magjik, përderisa mendjet e Qoses dhe të Demaçit nuk pjellin mrekulli, përderisa pushkët e Hashim Thaçit dhe Ramush Hajradinajt nuk janë plotësisht të mjaftueshme, përderisa trimëria pa mençuri - e mençuria pa trimëri nuk bëjnë dot, nuk mbetet alternativë tjetër veç të ulim kokat, t’i japim dorën njëri-tjetrit dhe të organizojmë në fillim qëndresën (se po ikim si bagëtia në livadhe), e pastaj gradualisht do të vijë edhe çlirimi edhe liria.

Nuk mund të themi që ajo që ndodhi është e re dhe e papritur, sepse kjo që po ngjet ka ndodhur së pari këtu e 85 vjet e nuk ka prà kurrë.
E keqja jonë ka qënë (e mesa shohim do të jetë edhe më tutje) se ne nuk duam të mësojmë nga historia. I kam ndjekë lajmet për Kosovën gjithmonë - por tash tre vjet përditë. Dhe nuk më hiqet nga mendja ajo kohë, ose ato ditë, kur në Drenicë dilte tymi e flaka, digjeshin njerëz të gjallë, ndërsa në Prishtinë rinia kosovare e kalonte kohën kafeneve e duke shëtit bulevardit, sikur ajo çka po ngjiste nuk kishte të bënte me ta. Prej militantëve të UÇK-së, djem të rinj dhe ata, por të devotshëm, rinisë së Prishtinës u janë afrua armë, u është bë thirrje me dalë në formacione të organizuara luftarake, por pak kush asht përgjigj.
E, ata pak që janë përgjigj prej rinisë universitare, shkuan në luftë, u vranë, ranë dëshmorë për Atdheun që nuk do t’i harrojë kurrë.
Ata të tjerët, të cilët nuk iu përgjigjën thirrjes për luftë, një pjesë u vranë pa rezistencë, e një pjesë tjetër mbase shpëtoi duke ikur jashtë Kosove. Se, kur vjen hataja e zezë e nuk ke kurrgjë në duar që të mbrohesh, nuk ka çka bën tjetër veç të ikësh nga sytë këmbët përpara një force mizore të armatosur deri në dhëmbë, siç ishin falangat pushtuese serbe....
Tash vjen pyetja: Politikanët e Kosovës, a e kanë dashtë lirinë e pavarësinë apo kanë bërë me këto fjalë lodra demagogjike.
Si e kanë menduar se do vijë liria? Si e kanë menduar se do vijë pavarësia?
Po si mundet me ardh kjo liri duke bërë një politikë si ajo që është bërë deri më tash? E kam shkrue një llaf dikur në gazetë se "Liria nuk mund të vijë duke e nda tortën në pjatë paqësisht me Serbinë". Këtu e tre vjet kjo, pra dua të them se nuk janë gjëra të reja këto që ngjasin, por është koka jonë e vjetër, e ngjeshur, që nuk do të kuptojë një realitet.
Edhe tash, kur Kosova u këput e ra përdhe e mbytur me gjak, prapë kokëngjeshurit e politikës kosovare po ia shtojnë vuajtjet popullit të vet që po bredh muhaxhirë nëpër botë.
Kaq e vështirë është të ulet Rugova me Thaçin e Qosen (të vijë në dashtë edhe Bukoshi për të dorëzuar llogaritë bankare kaq të përfolura) e të organizojnë bashkë luftën për çlirim?!
Nuk ka fitore pa unitet. Këtu nuk është fjala për përralla marksiste por për një kusht të domosdoshëm nëse duam të arrijmë qëllimin.
Dëgjoni si flet përditë Klintoni për unitetin e 19-shes.
E ne që jemi kaq të pakët në numër dhe kaq tragjikisht në situatë, pse ta konsiderojmë unitetin si një përrallë marksiste dhe kërkojmë t'ia përplasim djemve të UÇK-së që po luftojnë e po japin jetën?. Si guxojnë në Shqipëri t’i quajnë marksistë?!
Përderisa Shalli i Rugovës nuk është magjik, përderisa mendja e Qoses dhe Demaçit nuk pjellin mrekullira, përderisa pushkët e Hashim Thaçit e Ramush Hajradinajt nuk janë plotësisht të mjaftueshme, përderisa trimëria pa mençuri - e mençuria pa trimëri nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën, nuk mbetet tjetër veç të ulim kokat, t’i japim dorën njëri-tjetrit dhe të organizojmë në fillim qëndresën (se po ikim si bagëtia në livadhe) e pastaj, gradualisht do të vijë edhe çlirimi edhe liria.
Kurrë nuk mund të bindesh se shqiptarët nuk mund ta dëbojnë serbin nga vatrat e veta. Nuk janë serbët me trima se shqiptarët.
Ndryshimi qëndron në radhë të parë në unitetin e qëllimit. Të gjithë serbët janë në një mendje sa i përket qëllimit dhe metodës për zhdukjen e shqiptarëve nga Kosova, ndërsa ne nuk jemi të gjithë në një mendje për ta përballuar agresionin, për ta ndaluar gjenocidin, për t’u kthyer përsëri në vatrat tona, për ta fituar përsëri lirinë.
Nëqoftëse do të vazhdojmë edhe më tej të ushqejmë në popull idenë e mbrapshtë "realiste" se, po të dojë Serbia për tre ditë na shkul, të jeni të bindur se ato tre ditë të qametit i kemi ndjellur vetë sepse kemi tmerruar popullin, i kemi prerë krahët, e si rrjedhim, ai nuk sheh a gjen shpresë dhe as qëndresë në vetvete, si njeriut që i ka vdekur ora para se t’i dalë fryma. E gjithkush e di çdo të thotë fjala orëvdekur.
Në qoftë se politikanët kosovarë nuk e ndjejnë përgjegjësinë e asaj çfarë ndodhi, në qoftë se nuk reflektojnë me qëllim për të shmangur amullinë në udhëheqje, në qoftë se nuk e ulin kokën e nuk nxjerrin mësime nga disfata e tragjedia, ata do ta çojnë të mjerin popull në greminat e disfatave të reja.
Kështu, me dashje ose pa dashje, edhe ata kanë dhënë kontributin e tyre në pellgun e këtij krimi biblik, i cili për botën që ka qenë indiferente ndaj fatit të shqiptarëve mund të jetë e re dhe e papritur, por për ne shqiptarët nuk ka kurrgjë të re e të papritur...
Shkoni e pyeteni Prof. Zekëria Canën për këtë. Ai, më mirë se kushdo, i ka bërë anatominë këtij gjenocidi barbar që zë fill në krye të këtij shekulli dhe shpresojmë se në fund të këtij shekulli, aq mizor në fatin tonë kombëtar, të shpëtojmë një herë e mirë prej pushtimit dhe robërisë skllavëruese.
Ajo që po ndodh nuk është kurrqysh e re dhe e papritur. Për ne shqiptarët ajo që po ndodh është epilogu i një krimi biblik.

Botuar në "Albanian Gazette of Boston", 28 maj 1999

MOTIVE POETIKE PËR KOSOVËN

KU JE O ZOT ?!
- Kosovë 1998-
Në situata të vështira dëshpërimi
ngrejmë sytë nga qielli
e thërrasim:
O Zot!
Nuk dimë a është revoltë a thirrje për mëshirë.
Por gjithësesi,
sado e trishtueshme të jetë gjëndja,
gjithmonë mbetet shpresa
ky flamur i reckosur e dalë boje
në zemren e akullt të Europës plakë
si kafka qindvjeçare e një kali në Vaterlo.
Bashkoj dhëmbjen me shpresen
mallkimin me urrjetjen
dashurinë me mëshiren
aspiraten me fatin e çdo njeriu
atje në thellësi te pusit të zi
të skëtërres njerëzore
Sado që jetojmë në një botë të lirë
Shpirterisht jemi të thyer prej asaj errësire
Të thyer prej këtij shekulli mizor e hipokrit
që nuk e vuan vrasjen e ndergjegjes
përpara masakrave mizore
përpara therjes në fyt të engjejve
përpara gulçeve të gjakut e çarjes së kafkave
përpara tankeve që shtypin krahë të njomë
pëllumbash
përpara mesjetes që del prej katakombesh ballkanike
për të zhdukur e shfarosur një popull.
Me sytë drejt qiellit në revolte
kthehem e them:
Ku je o Zot?!
Boston 13 Gusht 1998
Kjo poezi ne perkthimin anglisht eshte botuar ne Antologjine poetike me titull:"OF MEMORY'S BLESS"- ,faqe 108,1999, me krijime te autoreve nga SHBA dhe vende te tjera te botes.


MASAKRA
Ejani ju stuhi resh me vetëtima
udhën e ndriçoni tek ky fshat i vrarë
se permes kufomash shteg nuk gjen të ecësh
e qiellit korbat krokëllijnë kra-kra.
Ejani ju shtergata shiu me litarë
varuni nga lartësitë me gjëmin
tu lajmë plagët kafkave të çara
nëpër pellgje gjaku plot pikëllim.


Ejani t’u gjejm gjymtyrët pleqëve
e qeleshet tua vëmë në kokë
se kanë patur veç një jetë të ndershme
e varrimin e duan me nderim në tokë.


Vogëlushëve dhe pas vdekjes t’ua prajmë vajin
duart e nënave t’ua vëmë pranë
gjijtë e bërë copë nga thika sllobosh
qumësht e gjak ngrirë e bërë kallkan.


Ejani ju qiej, përmbysuni prej dhëmbjes
rrëzohuni në Reçak me rapëllimë
i mbulo me bozhuret e Kosovës
të shkretët kufoma që kërkojnë amshim.


USHTARI I PIKËLLUAR
- Në llogoren e braktisur-

Ti je një ushtar i përbaltur që pas beteje
në llogore rri e mendon për miqtë e vjetër...
Ata nuk janë më.
Kanë mbetur në kujtimet e tua si hije
nëpër mugëtira e ankthe ikjesh
për të shpëtuar çfarë të mundin në kolapsin njerëzor
e duke lëne në shpirtin tënd dhembjet e plagëve
që nga nxitimi pas i lanë
për t'i shtuar shpirtit tënd mundimet...
Ti je një ushtar i pikëlluar
që në kujtime nuk gjen ngrohtësi
ndërkohë që një dimër i acartë,
e një stinë shtrëngatash përçudnuese
copë-copë ta bënë kapotën e vjetër
e çorapeve të leshta s'u gjenden me as fijet.
I pikëlluar se në vezme ke pak fishekë
e fare pak bukë për qëndresë
sepse ata që janë pas, në prapavijë të luftës
ikën...të harruan...
Ti je një ushtar i përbaltur në llogore
që s'ka urdhër as të sulmojë e as të tërhiqet
e duke ndezur një cigare jeton me kujtimet
e ankthin e mungesës tënde në këtë botë
të nesërmen e betejës së pritme...
Të nesërmen
kur miqtë e tu të vjetër do të brohorasin
deri në kupë të qiellit për fitoren
me degë dafinash nëpër duar e gjokset rrahur erërash
me flamuj te shpalosur në të katër horizontet
ndërkohë që mbi varrin e ushtarit pikëllojnë
një palë këpucë pa lidhësa
e një kokore e bërë shoshë nga plumbat.

Boston, 28 Nëntor 1998