SI NA MBIVE DIKTATOR O MUSHARAF?!

Si na mbive diktator në Nëntor, o Musharaf?!

Nga KOLEC TRABOINI

Në gazetari janë të pafalshme naiv itetet. Musharafi nuk është bërë sot, ai që është. Ka qenë që në ditën e parë që ka ardhur në pushtet. Pushteti i ushtarakëve e juntave nuk mund të mos jenë diktaturë. Por, qarqeve politike në botë që kanë platformat e tyre strategjike në rajon, tani u intereson që ai të largohet. Mirëpo edhe pse kjo është e natyrshme që do të ndodh, të mos harrojmë se Pakistani pa një dore të fortë ka rrezikun kryesor të behet një shtet ku terroristët, binladenistët të gjejnë strehë e jo vetëm aq, por edhe të vinë në pushtet. Vetëm kur Pakistani ti shkasë nga duart perëndimit dhe Amerikës, do të kujtohen e të thonë, më mirë me Musharafin që i rrinte mbi kokë si çekan terroristëve, se sa një pseudodemokraci talibaniste me fanatizmin në pushtet.Iraku tregoi se llogaritë ishin bërë të gabuara. Mund të rrëzohej Sadami pa shkatërruar shtetin, pa shkatërruar ushtrinë e policinë, pa shkatërruar tërë infrastrukturën duke e futur vendin në një katastrofe të plotë. Sot gjendja sociale e normaliteti i Irakut është shumë më keq se në kohë të Sadamit. Kanë fituar terren fanatizmi e dhuna. Në kohën e Sadamit vriste një Sadam me shpatë, ndërsa sot vrasin të gjithë, të presin dhe kokën po të zunë (sa shpejt i harruam), sepse janë pjellë me qindra sadamë të vegjël vrasës e kamikaz.Sot është e lehtë të shkosh me berihaj pas lajmeve të bujshme të ditës, por të bësh gazetari nuk është të përsëritësh faktet e njohura dhe të shprehesh një gjendje emocionale në trajtë jehone solidariteti me spikerët që flasim gjithë ditën në studio, pa e ditur se ç'ndodh ne rruge, por kryekreje të bësh analizë për çfarë ngjet dhe në bazë të vëzhgimeve, të parashikosh rrjedhimet dhe pasojat e ngjarjeve.Tabloja sinoptike e lajmeve të nesërme:Ditën e mire për sot. Nesër do të kemi ditë të ftohtë e të përgjakur. Sërish dhunë nga ushtarakët. Falangat fanatike janë kthyer në engjëj të bardhë. Nuk hedhin me bomba. Falen e luten për demokracinë...Sot, gjithë rrugët të çojnë në Pakistan dhe të gjitha fajet i ka Musharafi. Sapo të bjerë Musharafi do të pjellin 1000 musharaf të rinj, më të rrezikshëm, të cilët do të prishin e rrezikojnë ekuilibrin jo vetëm me Pakistan por në gjithë rajonin. Do ti afrohen pushtetit talibanistët pakistanezë të cilëve do tu bien në dorë edhe arsenalet bërthamore. Pra do të na imponohet edhe një tjetër luftë...Po pastaj ku do vemi. Si do të pjellim një Musharaf a Zija Ul Hak të vetëm, që të bëjë zap kopenë e pafundme të Musharafeve të vegjël talibaniste? Do ta pësojmë si ne Irak. Temën, do themi, prapë e pësuam e mend nuk mësuam...Që kur ka lindur historia kështu ka vajtur meseleja, pa u mbyllur një luftë fillon një tjetër. Kësaj radhe sebep na u bë sërish një femër, që gjoja na paska ardhur fshehur në Pakistanin me regjim ushtarak, Benaziri i Butos e jo Helena që i vuri flakën e Trojës. Po gjasat janë që edhe Pakistani do të përfshihet në flakë...Dhe pësimi nuk na u bë kurrë mësim. Dhe kusuret dihen, do ta paguaj populli pakistanez, jo me para, as me gaz e me naftë, por me jetë, me gjak. Si na mbive diktator në nëntor, o Musharaf?! Ti e di që çmimi i barelit po ngrihet. Të kishte dalë dhe ky dimër, të kishe pritur dhe pak!