NËN QYRKUN E FAJIT...




NËN QYRKUN E FAJIT...



Cilin atdhe përfaqësojnë të çmëndurit?!
Kush ja hodhi shqiptarizmit këtë qyrk përsipër?!



KOLEC TRABOINI

Në të hyrë të majit ( drithërimë akulli na solli kjo pranverë 2007)u arrestua një grup terroristësh që ishin prej kohësh nën vezhgim në Nju Xhersi. Nga gjashtë antarët, lajmet theksuan se katër ishin shqiptar. Se çfarë soj shqiptarësh ishin kurrkund nuk e vuri në dukje e kështu papritur e kujtuar u ndjenë bashfajtorë shqiptarët anë e mbanë botës. Një faj kolektiv i çuditshëm. Në qëndër të propogandës televizive e mjeteve të informacionit u ndjemë për disa ditë, a qoftë për disa çaste popull fajtor. Një paradoks i çuditshëm ky. Por nuk ishin të tjerët shkaku kryesor që na bënë të ndjehemi të tillë, më tepër qenë tanët, bashëkombasit që u ngutën të na vënë në pozitat e fajtorit, që duhet patjetër të shlyej fajin që ti falen mëkatet e të bjerë në paqe me shpirtin e vet. Por, edhe të ritregojë besnikerinë e patundur ndaj mikut më të madh të shqiptarëve, por kësaj radhe me ritualin të perbetimit publik se, pavarësisht çfarë kishin dashur të bënin katër terroristët shqip-sllavo folës, ne ishim të patundur në miqësinë tonë. Shfletoni vetëm dy faqe të gazetës shqiptaro amerikane dhe do te vini re kolona shkrimesh të ngjeshura me germa të mëdha të këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, të kryesisë së Vatrës, të shoqatës”Dibrane”, të LDK-së për Nju Jorkun e LD Dardanisë po ashtu, të Lëvizjes së Legalitetit, Bashkësia myslimane SHBA-Kanada, Instituti “Gjergj Kastrioti Skanderbeg” në Staten Island të Nju Jorkut, demonstrim në Nju Jork, përbetim në Çikago…një marramandje e çuditëshme që të drithëron sikur Amerikës ti ketë ndodhur prej shqiptarëve një gjëmë më e madhe se ajo në 11 shtatorit 2001.
O zot çfarë po ndodh. Cunam në shpirtin e shqiptarit… E kurrkush nuk ulet ti marrë punët shtruar se ja, pasi kaluan dy ditë, të gjitha gazetat amerikane e stacionet televizive të lajmeve e harruan atë grup fanatikësh islamikë që u vunë në pranga e me to do të merret drejtësia amerikane. Mirëpo avazi brëndashqiptar mediatik vazhdon duke harruar në krye të kresë se në bazë të gjitha ligjeve ndërkombëtare ata "të katërt e Nju Xhersit" janë maqedonas. Përderisa është një shtet ku ata kanë lindur e shtetësinë e të cilit e kanë, që quhet Maqedoni, pranuar zyrtarisht kjo në OKB, nuk ka pse të rrethrrotullohemi si qeni rreth bishtit të vet. E shumta që mund të thuhet është se ata katër të fandaksurit e terrorizmit islamik janë shtetas maqedon që i përkasin etnitetit shqiptar. Janë nga ata shqiptarë që janë ndarë arbitrarisht nga trungu mëmë e të dënuar prej diplomacisë europiane për të mos u bashkuar kurrë si komb e si shtet. A, sikur Maqedonia të ishte aneksuar prej Shqipërisë( mos o zot, se ne mezi na mbajnë këmbët), ateherë po, do të thonim me plot gojë se ata katër qafirët, apo idiotët e fanatizuar deri në çmënduri, janë shqiptarë, me etnitet e shtetësi, por veç shqiptarë patologjikë që përfaqësojnë çmëndurinë e vet e kurrnji tjetër në këtë botë.
Si shqiptar i Shqipërisë e me prejardhje nga trojet shqiptare të aneksueme padrejtësisht prej Malit te Zi ( nën bekimin e mallëkuar të Europës), thënë të drejtën nuk e kam kurrqysh kompleksin e fajit të katër fanatikëve islamike maqedonas. Por edhe shqiptarë Kosove të ishin, shqiptarë të Malit të Zi të ishin, të Shqipërisë të ishin, të njëjtën gjë do të thoja sepse fanatizmi është pragu i çmendurisë e për të çmëndurit ka çmëndi ku, nuk besoj se bëhen dallime në përkatësi kombëtare, shtetërore apo fetare. Në një spital të çmëndurish nuk ka as kishë e as xhami, as kufij shtetesh aq më tepër etni. Kryeministra me gozhda në tru, ministra të jashtëm të dalë boje, deputet të pacipë, të tradhëtuar prej grave, hajdutë, batakçi, fanatikë fetarë me tavan të shëmbur ka...mirëpo këta kurrë nuk kanë atdhe, kanë xhep, kanë taraf, kanë miqësi, kanë klan, por kurrë atdhe.
Prandaj më duket se letra e një zonje shqiptaro amerikane dërguar gazetës "Nju Jork Tajms", deklarimet e ca studentëve shqiptarë në Nju York apo ca fletë rrufe të degëve partiake kosovare, shoqatave apo individëve, nuk thonë kurgjë nga ajo që në thelb duhej të thoshnin. Letra, deklarata dhe ato flet rrufe të partive e shoqatave sado që përpiqen të thonë një të vertetë, atë të dashurisë e mirënjohjes së shqiptarëve për Amerikën, nuk e fshehin dot kompleksin e fajit, paradoksalisht krejt pa faj e krejt pa llogjikë.
Me kësisoj tërci verci fjalësh me të cilat rëndojmë veten duke dashur gjoja të shfajsohemi, mos vallë kërkojmë të lehtësojmë maqedonasit që nuk ndjehen fare fajtorë për terrorizmat e shtetasve të vet. Dhe mirë bëjnë. Largojnë vemëndjen prej shtetit të vet të brishtë që para se të bëhej shtet ishte gati në shpërbërje.
Po sikur ata të katër të ishin prej Vrake, vrakaçorë Shkodre, mos vallë do të akuzohej Serbia, po sikur të ishin çifut nga Selaniku i Greqisë mos do të akuzohej Izraeli?! Po sikur të ishin frëngjishfolës nga Montreali i Kanadasë mos do të akuzohej Franca. Po Timothy Mc Veight që bëri masakren Oklahoma ku u vranë 168 njerëz të pafajshëm, kryesisht fëmijë e gra, kë përfaqesonte? ! Mos fajin e kanë Irlanda apo Skocia se andej e ka origjinën e lëngstërlëngut. I sjell këta shëmbuj me sikur që s'kanë fund, për të treguar se mizoritë e ndonjë individi nuk mund tia veshesh si qyrk kombësisë veç, kur këtë ja do qëllimi i mbrapshtë e dashaligësia e atyre që përpunojnë informacionin në situata tepër delikate e deçizive, si në rastin e Kosovës.
Madje pati edhe deformime të tilla të papërgjegjëshme duke i quajtur edhe kosovarë. Mos vallë mendoni se gazetarët e “Nju Jork Tajms” dhe ata të CNN nuk dinë të bëjnë dallimin në mes të dy shteteve( paçka se Kosova ende nuk është shtet) të cilët kanë kufij në mes vedit, kur ato hapsira gazetarët amerikanë i kanë shkelur me këmbë gjithandej, në kohën e gjenocidit serb mbi popullin shqiptar të Kosovës.
Ky konfuzion informativ “ shqiptarë të ish Jugosllavisë” të kujton atë episodin e bombardimit të ambasadës kineze (pro serbe aso e kso kohe) kur në shtyp u tha se pilotët nuk e kishin harten e re, por kanë përdoruar të vjetrën. E kush të përdorte harta të vjetra, amerikanët?! Sapun për djathë shiti atëherë diplomacia e paskuintave. Eja merre vesh se si e pse luajti me hartat ish shefi i dështuar i CIA-s, shqiptari që shtiret si grek Xhorxh Tenet. Janë ca punë të ngatrruara, kurrkush nuk të thotë hapur si e pse u gjëndën punët kështu që ..."shqiptarët" paskan dashur të bëjnë terror në Amerikë.Pikërisht shqiptarët!!!E nuk thuhet kurrkund se janë katër qytetarë maqedonas, nuk përmendet emri Maqedoni kurrkund. Ec e gjeje pse-në e mospërmëndjes.
Nuk ka pse të biem viktimë e spekulimeve, e propogandave që qëllimin e fshehin por është krejt i dukshëm si bishti i dhelprës, se ja çfarë thotë një qytetar amerikan që jeton pranë Fort Dix "ajo çfarë pretendojnë ata( gjashtë terroristët fanatikët islamikë) se kishin ndërmënd të bënin, është krejt e pamundur sepse ata nuk mund të depërtonin kurrë në gazermën e sofistikuar ushtarake. Ata duket hapur se janë njerëz të çmëndur".
Kur thonë qytetarët amerikanë kështu, atëhere juve që në mënyrë krejt alogjike ju rëndon kompleksi i fajit mbarëkombëtar, ju lutem na thoni se cili është identiteti i një çmëndurie për të cilën folëm më lart. Po fakti se ata kishin dërguar një vidio “me materiale filmike terroriste” në një dyqan të zakonshëm për ti kthyer nga sistemi europian në atë amerikan, si spjegohet. Të ishte një grup i fshehtë dhe i lidhur me grupe të tjera do të kishin aq pare sa të blenin një vidio për kthim filmash në dy sisteme që nuk kushton më shumë se 300 dollarë dhe një instruksion mbi fshehtësinë do ta kishin, dreqi e mori. Të tillë naivitet konspiratorësh nuk kisha dëgjuar në jetën time. Kaq vështirë është për tu kuptuar thelbi i këtij grupi sharlatanësh. Po ata ishin nga ajo kategori ordinere që nuk kishin jo para, por në radhë të parë nuk kishin mend. Njerëz me tru të shplarë prej fanatizmit. Kjo nuk do të thotë se tuafet dhe idiotët nuk të bëjnë gjëmën, por se ata nuk përfaqësojnë kurrkënd veç vetes, veç errësirës që kanë në kokë.
Të më falni por unë kam një mendje tjetër nga shumë prej atyre që kanë vënë alarmin se po ja skuqin faqen shqiptarizmës disa fanatikë islamikë; sepse shumë po trumbetohet kësaj ane. Kushdo që ka kompleksin e fajit të katër bashkfolësve me shtetësi maqedone, le ta mbajë për vete, unë nuk kam ndërmënd ti hyj kurrkund e kurrkujt në pjesën e fajit. Bota e madhe është shtëpia e gjithkujt e çdokush, në këtë botë të madhe, ka mbi shpatulla një botë të vogël që nuk përfaqëson kurrgjë veç vetes.
Çdo të mirë a të keqe që bën njeriu në këtë jetë e bën nën emrin vet.
Kombi e kombësia nuk janë një shami me të cilën mund të fshij hundët çdo idiot, qoftë qeveritar apo fanatik me tru të shplarë...

Boston 2007

www.traboini.com