TAGRAMBLEDHËSIT E BOSTONIT















TAGRAMBLEDHËSIT E BOSTONIT:
KRRÈNI XHEPAT … “PËR KOSOVËN”!

Nga KOLEC TRABOINI

Këtu në Bostonin plak ka dalë një takëm i ri patriotësh pa qylaf e pa poture, por me kollaro të kuqe e me stilolaps në dorë e na ka lëshuar ca zëra kushtrim për ndihmë, për t’u hedhur në dorë dollarë se ashtu e kanë hallë. Fjalën e kanë se dollarët i duan “për Kosovën”, se emrin e saj e kanë vënë në krye të njoftimeve e shpalljeve të bujshme, por më pas, kur nisin e spjegojnë e merr vesh se këto para nuk do të shkojnë në Kosovë për fëmijët apo familjet e varfëra atje, por do të na u shpenzokan nga ky takëm i ri patriotësh për veprimtaritë që ata do të ndërmarrin në interes të Kosovës. Ta zëmë se do të hanë e pinë në ndonjë restorant me ndonjë kongresmen, në ndonjë darkë që do të kushtojë jo pak, por tre a katër mijë dollarë e ku, edhe këta tanët do ta dëndkan mirë e mirë plëncin… për Kosovën. Dhe mirë e kanë. Edhe barkun e mbushin edhe emrin e çeshtjen e Kosovës e ngrejne la e me la…
Po kush është ky lloj takëmi kombëtar. Nga na dolën e si mbinë në këtë boshllëk që lanë shqiptaroamerikanët e vjetër, që
nuk jetojnë më, apo nga ata që e lëshuan Vatrën deri në atë shkallë mjerimi sa Federata u tërhoq për të mbajtur frymën gjallë në Nju Jork. Dhe mirë bëri se ndryshe do ta kishin vdekur e sot do ti çonim lule mbi varr.
Duke i parë me kujdes nëpër disa tubime të shugëta, vëmë re se ata janë ca persona që jo shumë vite më parë nuk i njohte kurrkush, që nuk kanë patur pas shpatullave kurrfarë bagazhi veç hijes së vet. E këta ish hije, sot figura, janë lidhur me disa shoqata në Nju Jork, të cilat janë ngritur më tepër se sa për punë atdhetare, për ti bërë karrshillëk të madhit, ish kongresmenit shqiptaro-amerikan Xhozef Diogardi, që ka krijuar lobin e vetëm shqiptar, tepër aktiv e të njohur, që ka influencë deri në kongresin e senatin amerikan. Karrshillëku i është bërë ngaqë Diogardi ka qënë një kongresmen republikan, mirëpo ca shqiptarë mendjeshkurtër, të lidhun apo angazhuar me demokratët amerikane krijuan shoqatën rivale që me një gur të vrisnin dy zogj, të dilnin si kaposha në komunitet dhe të bënin propoganda partiake demokrate në rastet e zgjedhjeve në Amerikë. Janë të zgjuar ca kapo-shqiptarë të Amerikës, hakun të mos u a hamë. Dinë të bëjnë restorante ku shesin pica 1000 dollarëshe, por dinë edhe t’ja gjejnë anën politikës në mënyrë të atillë që të dalin vaj mbi lakra në punët mëmëdhetare e
emri t’u pompohet në Tiranë e Prishtinë..
Dhe ca punë i kanë bërë siç i kanë menduar e goxha leverdi kanë patur. Madje ky soj takëmi i ri patriotësh me bateri, siç thotë një gazetar në Prishtinë, u ndezën e u përvëluan në dashuri të zjarrtë me qeveritarët socialistë.Viti 97 në vënd që ti tmerronte, u a ngrohu zemrat. U bënë miqtë më të dashur të Fatos Nanos e të aparatçikëve të tjerë, nga të cilët shpresonin tu hapej rruga e disa bizneseve të pabujshme në Shqipëri. Meqë vizitat kanë qënë të shumta në Tiranë, por të dhëna se me se janë marrë atje nuk ka, na mbetet vetëm të hamendsojmë se gjatë tetë vjetëve të socialistëve, patriotët me bateri të Nju Jorkut kanë ditur ti lëvizin gurët e zarit diku nëpër sektorët e ekonomisë së shpartalluar shqiptare, ku mund të hysh me një dorë para e të dalësh me një thes plot, sepse shteti konfuz nuk arrin të kontrollojë se çfarë bëhet brënda sinoreve të veta.
Në Nju Jork janë truri e mendja e takëmit të ri të patriotizmës, por tenxherja gjen kapakun si i thonë, edhe këta kanë ditur të gjejnë elementët e përshtatshëm këtu në Bostonin plak.
Takëmi i ri i Bostonit, në fillim u muar me disa veprime që kanë dukje, që të japin një emër. Pas kurseve në Nju Jork, edhe këta nisën të zbatonin parimin me një gur të vrasësh dy zogj. Pra të përzihen në veprimtari përkujtimore atdhetare, fillimisht për t’u dukur e pastaj hap pas hapi të marrin frenat e komunitetit shqiptar,
për t’u kthyer në këtë qytet me veprimtari të vakët të komunitetit shqiptar, në një autoritet “vetë shkruaj e vetë vulos”.
Hakun të mos ua hamë, punuan me ngulmë e me zulmë sa s’ke ç’u thua këtij takëmi. Tanimë në këtë qytet janë vetëm ata.Tani dihet se kush është autoriteti, kryetari, i cili kollaron e mban të kuqe, ashtu si tërë sëra e shoqatës së tij në Nju Jork. Mban disintivin e shoqatës, ka një stilolaps që të mbajë shënime, për të krijuar përshtypjen e një dinjitari. E ky i parë i vetëshpallur i komunitetit shqiptar të Bostonit, meqë ka origjinë fshatare malore,
mpleksur me pakëz aromë province joniane, ka ca ndjesi mungesore për ta krijuar autoritetin me punë të lodhëshme, ndaj kërkon ta kompensojë këtë me mjete figurative. Nuk lë rast pa dalë në fotografi. I dërgon fotot e veta kahmos që ti shohin të gjithë. Edhe një faqe interneti që e manipulojnë dragumanët e tij, e ka mbushur plot me fotot e veta madje dhe familjare, si të ishte udhëheqës shteti. Nuk besoj se ka presidenti i gjysëmshtetit shqiptar Moisiu më shumë foto në internet se ky presidenti i vetëshpallur i komunitetit të Bostonit. E ata që kryesojnë shoqatën në siproren e Nju Jorkut, bëjnë kujdes që kur shpërndajnë ca çmime fluturake për ca zhvillime që një dreq e di çfarë nënkuptojnë, e thërrasin këtë mëkëmbsin e vet të Bostonit dhe e vënë të dorëzojë çmimet në gjokset e të lauruarve me të cilët, më pas, pozon me qafë të ngrirë para kamerave digjitale. E kështu, pasi ja karikojnë mirë e mirë bateritë mëkëmbësit për Nju Inglandin, e lëshojnë të mbajë revanin sërisht për Boston.
Mbase në këto udhëtime, i karikuar mirë me eufori, i lindi ideja të nisë një fushatë
për të mbledhur ca para. Se pa para nuk bëhet kurrgjë. E la vehten në histori Hasan Zyko Kamberi për ato çfarë shkroi për paranë. Fjalë të verteta. Bejtexhi, por burrë me mend paska qënë Zykua. Po si të gjëndej një motiv i fortë që ti shtynte njerëzit të jepnin pa ngurrim ato qerrata para. Ishte përdorur dikur nga Noli vjersha “Jepni për Nënën!”, mirëpo Noli ishte Nol. Provoi se mos sajonte ndonjë vjershë edhe ky kollarekuqi. I doli fshatshe me ca ullinjë, vaj në shishe të vjetra, arra e mjaltë kosherje. E la atë punën e vjershës se nuk e qulloste fare. Ju kujtua se atdhetarët për të përkrahur UÇK-në, kishin krijuar fondacionin “Vëndlindja thërret” që kishte patur sukses. Miliona dollarë ishin mbledhur e mijra armatime ishin blerë për luftëtarët për çlirimin e Kosovës. Mirëpo lufta kish mbaruar, ishte kohë tjetër. E megjithatë më në fund mendoi se e gjeti dhe me majën e stilografit shkruajti “Jepni për Kosovën”, duke perifrazuar fjalët magjike të Fan Nolit. Kur e pa të shkruar e ndjeu vehten vertetë një Fan Nol i ri. Të nesërmen ja tha një shqiptaroamerikani të lindur në Boston, që e mban si këshilltar personal, idenë e vet. U miratua njëzëri. Madje me eufori. Gjetje me gjenialitetin e Fan Nolit.
Ideja u përhap gojë në gojë “Jepni për Kosovën.”, “Jepni për Kosovën”. Kishte e ka njerëz që japin pa e vrarë shumë, mjafton tu përmendje emrin Kosovë. E këta ishin kryesisht disa kosovarë të mbetur pas strehimit të përkohshem që ju bë në Amerikë gjatë gjenocidit serb në 1999 e të vendosur kryesisht në qytetet e periferive në Massachusetc, por vetëm pak njerëz nga Bostoni kanë dhënë kontribute. Janë më dyshues bostonianët mesa duket. Se bostonianët kanë parë shumë. I nuhasin të gjitha marifetet e shoqataxhinjëve. Nuk e japin dollarin pa u bindur për destinacionin. Megjithatë paraja vazhdon të rrjedhë… “për Kosovën”.
Mirëpo gjithmonë me rrjedhjen e parave lindin dyshimet. Ku venë?! Për ti dalë para ndonjë të papriture, miqtë e takëmit të vetëshpallur,
japin spjegimet e veta disi të vagullta, sepse flasin siç u kanë thënë të flasin, por nuk e dinë se kush i fut e nxjerr duart në arkën e fondit të ashtquajtur “për Kosovën”.
Lexuam nje farë argumenti që sjellin bashkëpunëtorët e patriotit me bateri të Bostonit, argument që jo vetëm nuk jep hapsirë për tu qartësuar, përkundrazi fut në tymnajë çdo mendje të kthjelltë shqiptari që jeton në Amerikë:
"Ne duhet të paguajmë sot seicili sa të ketë mundësi, që në Kosovën e ardhëshme të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit, dhe të mos ketë të paraprivilegjuar. Që minoritetet dhe pakicat të gëzojnë të drejtat maksimale sipas ligjeve ndërkombëtare dhe të përfaqsohen kudo në raport me përqindjen reale që kanë..."Eja merre vesh se përse duhet të zbrazësh xhepat?! Jep para që njerëzit të jenë të barabartë para ligjit!!! Kjo është si një retorike boshe, që të krijon idenë panikuese se ndodhesh para një mashtrimi të madh, se, si na dalka që me ca ndihma 10-20 dollarëshe, makari dhe 100 apo 1000, ky grup që mbledh para jashtë çdo lloj kontrolli, të na bëkërka punë të mëdha, më të mëdha se sa mund të bëjë ta zëmë OKB, BE, vetë Kosova, që gjithësesi është e lirë. Në Kosovë sot ka ligje që veprojnë, ka Ministri Drejtësie, Gjykata e nuk e di se si e kush, do ta sillka barazinë para ligjit duke mbledhur para në Boston.
Po ti pyesësh më thellë, ata thonë se duhen paguar para për të bërë propoganda në gazeta në Amerikë, shkrime në “Nju Jork Times” e ca argumenta të tjera të vagullta, ku të paktën merret vesh se asnjë kacille nuk do të shkojë në Prishtinë.
Thënë hapur do ti përdorin për ca punë që ata i dinë. E fundja kujt do ti japin llogari kur janë të vetzgjedhur, vetë shkruaj e vetë vulos. Ja më poshtë një tjetër shprehje origjinale e kësaj inisiative “Jepni për Kosovën!”, që të duket jo një zë i arsyeshëm dhe i argumentuar, por si një thirrje pompoze tregtarësh në ditë pazari, që ngrejnë në qiell vlerën e mallrave të veta, shpesh herë kallp: “Ne duhet të paguajmë sa më shumë sot, për të mirën e të gjithëve që jetojnë në ato troje, dhe të sigurohet paqe dhe prosperitet jo vetëm për Kosovën por për të gjithë shtetet e atij rajoni…” Pra krrè xhepat për “Kosovën” o mergimtar, për të siguruar prosperitet për popujt e Ballkanit. Po të shprehur që bëjnë?! Aresye madhore kanë nxjerrur si pretekst për të mbledhuar
mijra e mijra dollarë, se ashtu e kanë syrin, madje shkruajnë se edhe 60 mijë dollarë të mblidhen nuk janë fort shumë për propogandën e madhe që do të bëjnë këta të takëmit të ri. Kot nuk kanë shtuar edhe argumenta të tjera si prosperiteti i shteteve të Afrikës dhe të Lindjes së Largët. E të gjitha këto në shpatullat e emigranteve shqiptarë duhet të bien.
U rroftë mëndja që kanë. Mendimi i lartë që kanë për vetveten. Sikur të ishin titullarët e OKB-së.
Në një bisedë me një zonjë veprimtare, gjatë një seance premiere të filmit dokumentar “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” që u zhvillua në “Boston University” u hap fjalë dhe për këtë fushatë të rë dollarëmbledhëse. Jo, nguli këmbë veprimtarja. Ka një keqkuptim të madh. Ne nuk do të mbledhim para për Kosovën. Në fillim ka qënë fjala të mbledhim ca para për të ndihmuar disa familje kosovare me shumë fëmijë këtu në Boston e rrethina e nuk e di si e kanë stërzmadhuar këtë nisiativë. Janë dy gjëra të ndryshme.
Pra thënë hapur flitet për ndihma për Kosovën por në Kosovë kurrnji qindarkë dollari nuk do të shkojë.
Gjithësesi të ketë qënë zanafilla, mënyra se si paraqitet para emigracionit shqiptar në Boston e në qytetet për rreth se u dashka derdhur para kinse për Kosovën, shprehjet pompoze që nuk kanë as kokë e as bisht, që janë si ngjalat që nuk i kap dot as me gjeth fiku, nuk janë naivitete fëmijesh, por mentalitete burrash me kollaro të kuqe, me disigtiv e stilograf, që dalin në krye të çdo veprimtarie me një flamur të madh, pozojnë në fotografi nën hijen e zhgabës e ju duket vetja zhgabë e përmbi zhgabë, janë fort të qeshur e mjaltë nga goja nxjerrin, por me bisht të syrit dhe të mëndjes shohin në xhepat e mergimtarëve, për ti tundur e shkundur.
Tam-tamet atdhetare nuk i ndihmojnë dot patriotët me bateri. Aq më tepër, me të tilla primitivitete, si nëpër skena groteske e bufonada, jo vetëm nuk ndihmohet, por dëmtohet rëndë çeshtja e Kosovës.

Boston, mars 2007

www.traboini.com