TULIPANE DHE GJAK



TULIPANË
DHE
GJAK

nga KOLEC TRABOINI
__________________________
Ka emra njerëzorë që në jetë të jetëve lidhen emrin e ndonjë lulje ashtu si tërë jeta e tyre me pasionin e luleve ka qënë përshkuar. Një nga këto është Lester S. Hanibal, lindur në San Jose, Kalifornia, në stinën më të bukur të luleve, me 14 maj 1908. Që në krye e themi se nuk duhet ngatrruar ky emër me ndonjë emër sportisti në Urugaj apo për më tepër me ndonjë personazh filmash horror si Hanibal Lecter,që nën këtë emër të rremë predikonte satanizmin, që ishte kanibal, manipulator i frikshëm e besonte vetëm në kaosin dhe banjot e gjakut. Përkundër kësaj mizorie filmash tmerri hollivudianë, personi për të cilin do të shkruajmë ishte një njeri shpirtmirë që ngjyren e kuqe të ndezur e preferonte tek tulipanët Amaryllus apo tek zambaket e kultivuar prej dashurisë e pasionit njerëzor. E megjithatë për këta njerëz me shpirt të artë dihet shumë pak, shumë më pak se për drakula e vampirë që tmerrojnë e trondisin shpirtrat njerëzorë me etjen e pashuar të gjakut.

Lester S. Hanibal, pasionanti i luleve, kishte mendimin se kjo botë ka nevojë më shumë për dashuri se sa për urrejtje. Ishte tip studioz dhe i qetë. Në vitin 1930 mbaroi universitetin e Standfordit në degët e kimisë dhe ingjinjerisë mekanike. Pas dy viteve mbaron edhe studimet speciale duke marrë gradën Mjeshtër i Shkencave Biologjike. Por pikërisht atëherë kur kish realizuar shumë dëshira për shkollimin e tij, çdo gjë i zvenitet. I dukej se kish hipur në majën e malit e nuk i mbetej veç të rrëzohej. Botën e shihte të zymtë e ngjyrat të zbërdhylta. Kishte studiuar shumë, plot pasion dhe papritur erdhi një çast kur çfarë kish ëndërruar dhe realizuar i shfaqej e rëndomtë. Ishte veç njëzet e katër vjeç, aq sa figurativisht mund të themi, sapo kish nisur fluturimin.
Kaloi nëpër shqetësime depresive për rreth dy vjet. Erdhi një çast që vendosi ta merrte jeten siç i vinte pavarësisht se e kishte ëndërruar ndryshe. E kështu, megjithëse kishte synime shumë më të larta në karrierë, pranoi të bënte një punë disi të rëndomtë për një njeri që kishte dy diploma dhe titullin mjeshter i shkencave biologjike, të niste pra punën në rafinerinë Union Oil.
Fillimi i punës i solli një ndryshim të madh në jetën e tij, nisi të kishte më shumë besim në vetvete, ta vëzhgonte botën, njerëzit e natyrën si objekt i të bukurës. Ishte kjo kohë kur ai u njoh, ra në dashuri e u martua me Grace( Gresi) Ruhlen në vitin 1934.
I pakënaqur me vëndin e punës ai e braktisi rafinerinë dhe kaloi në kompaninë e plehrave kimike me baze amoni, Shell. Aty qëndroi gjatë, afro15 vjet. Do të shkonte më pas me gruan Gresi dhe tri vajzat Karol, Janice dhe Dorothy në Concord e në vazhdim në Pleasant Hill . Që kur ishte në uzinën Shell rasti e kishte sjellë të lëvizte në rajone të ndryshme. I lind pasioni për lulet Amaryllis lloj tulipanësh si dhe për zambakët, bulbat e të cilave i koleksiononte gjatë udhëtimeve në vende të ndryshme brenda e jashtë Amerikës. Madje deri në Australi do të shkonte për të gjetur lloje të ndryshme tulipanësh dhe zambakësh. Bulbat që mblidhte, i mbillte e me tej nisi të krijonte hibride të reja, disa prej të cilave tashmë mbajnë emrin e tij.
Kishte pasion te madh udhëtimet dhe fotografinë. Mbante shënime dhe nisi të botonte vezhgimet e veta mbi lulet, ushqimin, rritjen dhe kryqëzimin e tyre për të sjellë lloje të reja më të bukura. Nisi të shfletonte ato çfarë botanistët e shumtë kishin shkruar. U bë i njohur e mjaft aktiv në shoqatën Amaryllis dhe u dekorua me medaljen Herbert nga Shoqata Ndërkombëtare Bulbeve. Ishte gjithashtu antar i shoqatës së kerkimeve Sigma XI. Në 1950 nis punën në shtetin e Kalifornias si inxhinjer mekanik për analizimin e sigurisë së ndertesave shtetërore. Lë dhe këtë punë e kalon në Laboratorin e Studimeve për autostradat ku edhe del në pension ne vitin 1970.
Vini re, në asnjë rast ai nuk punoi pranë ndonjë institucioni që kishte lidhje me pasionin e jetës së tij. Dalja në pension ishte për Lester S.Hanibal si një rifillim jete. Tashmë mund t’ja kushtonte gjithë kohën e vet kultivimit të luleve. E kjo është koha më produktive për të. Gjatë tridhjet vjetëve, pas daljen në pension, ai u gjënd në natyrë, mes gjelbërimit, në udhëtime, në kerkime gjithnjë me dëshirë të madhe për tu afruar njerëzve rezultatet e punës së tij këmbëngulëse, lule të shumëllojshme, e jo të prera për tryeze, por lule për vazo, për kopshte, duke u afruar pranë tyre lulëzimin, shfaqjen më të bukurën e natyrës.
Me 10 korrik 2001 i vdes e shoqja Gresi në moshën 90 vjeç, ajo që gjithnjë i qe gjëndur pranë jo vetën si shoqe jete, por edhe si bashkëpasionante në kultivimin e luleve. E kjo vdekje ishte tepër e rëndë, aq sa mjeshtri i luleve nuk mund më ti rezistonte mungesës së Gresit. Çdo lule që shihte në kopshtin e tij i bëhej se dallonte fytyrën e qeshur të Gresit. Ky tulipan Belledona është Gresi. Edhe ky zambak i bardhë i sjellë nga Australia është Gresi. Me sytë e mendjes kalonte nëpër tërë skajet e botës ku ai dhe të tjerë kultivues si ai, kishin shkuar për të kerkuar llojet e pafundme të luleve me bulbe, që nga Afrika e Jugut, në Abisini, Azi e Zelanden e Re.
Ai ishte një nga ata që pasionin, kohen, studimet, lodhjen e tërë qellimin e jetës së tyre e transformuan në petale, në ngjyra, për tia lënë shoqërisë njerëzore, duke ua afruar natyrën më pranë, sepse, eh, koha, teknologjia, modernizmi, qytetet e mëdha prej betoni e kishin larguar disi njeriun prej mrekullisë së natyrës, e cila ka fuqi ripërtritëse edhe atëhere kur fuqitë të kanë lënë e retë e zymta ta errësojnë madje edhe arsyen...
Tre muaj pas vdekjes së Gresit, pikërisht me datën 10 tetor 2001, mbylli sytë me veshtrimin në kopësht, ku kishte ardhur për ta përshëndetur për të fundit herë me fustanin okërr vjeshta, për të mbuluar nën krahët e saj prej gjethesh, bulbat e tulipanëve dhe zambakëve që do të nisnin gjumin letargjik deri atëherë kur të parat, ende pa u avulluar mirë toka, pa marrë ngrohtësi dheu, do të zgjasin kërcellin e njomë, duke dhënë të parat sihariqin "po vjen pranvera". Deri atëherë edhe unë po flë, tha mjeshtri i luleve, deri atëherë, se pastaj mbase kthehem sërisht bashkë me Gresin për të parë mrekullinë e ngjyrave e zgjimin e natyrës prej dimrit të gjatë.Mbylli sytë me pikëllimin për gruan dhe lulet e frymën e fundit e la në erën e vjeshtës, që e ktheu në brymë e pastaj në pika vese, për ta lëshuar mbi tokë, nën të cilat flinin bulbet që u drithëruan.
Jeta e mjeshtrit të luleve, përveç përvojës së çmuar e studimeve të shumta që la pas, është dhe një mësim për njerëzit që në rrethana të caktuara në moshë të re bien në depresion, herë-herë edhe të avancuar duke përbuzur jetën e vet. Pas dy viteve sëmundje të rëndë depresive që i filluan në moshën 24 vjeçare, Lester S. Hanibal nisi të merret me lulet, ndoshta kjo ndonjë këshillë e ndonjë mjeku të mënçur te Kalifornias, pasion që ju ndez në rini dhe shoqëroi gjatë gjithë jetës. Dhe ai jetoi jo pak, por plot 93 vjet.
Mos vallë ishin edhe lulet, zambakët e tulipanët që kultivonte me dashuri ato që ndikuan në këtë jetë të gjatë e të përkushtuar ?
Nuk mund të thuash jo, sa kohë që sheh një tulipan si rubin apo një zambak të bardhë si fytyra e një Natalie të bukur. Apo kur vë re që pas çdo lulje fshihet një pasion, një ëndërrim, një dashuri, që të bën të jetosh e ti gëzohesh bukurive të natyrës.
Por veç jo rrallë ka njerëz që i harrojnë rritësit e tulipanev dhe marrakaten pas atyre që kësaj bote i sjellin vetëm vragat e gjakut... Në mes të tulipanëve e gjakut në duhet të zgjedhin tulipanët, në mes të dy Anibaleve ne duket të zgjedhin kopshtarin...

Shoh lulet, shoh qiellin, diku në mes të hapsirave qiellore dhe lulëzimit të tokës, nëpër erërat e stinëve që ndrrojnë njëra tjetrën, nëpër peisazhet kalimtare, nëpër sheshe, rrugë, qytete ku lëvizin njerëz në rendje të pareshtur, qëndron i gjallë kujtimi për njeriun e përkushtuar, që para se të ikë përgjithmonë, ka lënë në këtë botë diçka për ata që pas tij, përjetësisht dhe pafundësisht do të vinë.
Ndaj çdo pranverë, kur nisin e lulëzojnë tulipanët në kopshtin tim në Roslindale( Lugina e Trëndafilave) të Bostonit, tek sodis të parin lulëzim pas dimrit të gjatë nordik, sikur më vjen përmes ajrit transparent të qiellit si puhizë kujtimi i largët i Anibal S. Lester e , anipse krejt i vetëm, më duket se ndjej frymemarrjen e një tjetri e, nuk ngurroj ti them, atij që është dhe nuk është në kopshtin tim: “Faleminderit mjeshtër!”


26 Prill 2007
dita kur çelën tulipanët e parë të pranverës në kopshtin tim.