27 February 2007

Ç' KËRKOJNË DHELPRAT NË GJYQIN E LUANËVE?!


Ç' KËRKOJNË DHELPRAT NË GJYQIN E LUANËVE?!






nga KOLEC TRABOINI

Në një nga shënimet e fundit të Bedri Çokut nënvizohet disa herë tema e vuajtjeve, se ç'ka hequr Bedriu dikur nën diktaturë, ndërkohë që i është përveshur sa i zë mënga ish të burgosurve të ndërgjegjes, bashkëvuajtsve Kasem Trebeshina dhe Tanush Kaso (ndërsa Maks Velon e bën pleh e shkuar plehut, madje dhe spiun) duke bërë me ta polemika publike që të krijojnë një lloj trishtimi. Them trishtimi, sepse për hir të faktit që kanë patur të njëjtin fat të zi, peshën e dhunës mbi shpatull, nuk u takon që ndaj njeri tjetrit të përdorin insinuata që kalojnë çdo lloj respekti ndaj fatit të përbashkët.
Nuk ja fal Bedri Çoku Tanush Kasos faktin, se merr nën mbrojtje Kasem Trebeshinën. Gjithashtu, nuk ja fal Bedri Çoku Kasem Trebeshinës faktin, se ky i fundit polemizon me Kadarenë, për keq a për mirë, punë e Kasemit.
Mendoj që lufta me shpatën me dy teha, duke qëlluar djathtas e majtas nuk e nxjerr kurrkund Bedri Çokun, ashtu siç nuk e nxjerr kurrkund, as dhe Kasem Trebeshinën kur i përvishet Kadaresë aq shumë e aq paprinciptë saqë, në vend që të rrokë simpatinë e lexuesit, bën efektin e kundërt sepse, një lexues i thjeshtë logjikon: kur askush shkrimtar, është sulmues kaq i egër ndaj një kolegu shkrimtar, pavarësisht rrethanave e fatit në jetë, si mund të jetë ai i pëlqyeshëm me veprën e vet. Intoleranca e xhelozia e shfrenuar e shkrimtarëve në jetë, në marrëdhëniet njerëzore, në komunikimin me kolegët, dëmton sëpari veprën e vet. Lexuesi lodhet prej egërsisë e këtë lodhje e ndjen edhe kur zgjat dorën të marrë veprën e shkrimtarit të irrituar në deklarimet publike.
Megjithatë, punët e shkrimtarëve janë punët e shkrimtarëve. Zënkat e tyre, qoftë për çështje estetike apo më tej, gjithashtu janë probleme që zgjidhen në mes tyre pa patur nevojë që të kenë ndërmjetës ca avokatë me reputacion te vogël apo pa kurrfarë reputacioni në letërsi. Ne këtë pikëpamje tiranda e Bedri Çokut ndaj Kasem Trebeshinës ( gjoja duke marre nen mbrojtje Kadarenë), botuar ne gazetën "Shekulli" ku e akuzon Trebeshinën madje edhe si agjent apo krijues i Sigurimit Shqiptar, është sa e pabesueshme aq dhe groteske. Groteske sepse ka ne bazën e vet një emër te vene ne një liste te Divizionit te Mbrojtjes, ne vitin 1945 kur ende nuk ishte pjelle Sigurimi i Shtetit dhe kurrkush nuk mund ta mendonte se si do te ishte e si do te shfaqej ne te ardhmen ky përbindësh, kjo makine vrasëse e diktaturës. Pra Bedri Çoku dhe te tjerë paragjykojnë dhe jo analizojnë se si, pse e kush e lindi Sigurimin e Shtetit. E bëjnë nga naiviteti apo se duan ta vene me çdo kusht Trebeshinen përpushte, kjo nuk meriton te ketë vëmendje para faktit se është një bllof historik.
Te njëjtin bllof pëson tentativa e Bedri Çokut kur shkruan se rrethi i Kasem Trebeshinës nuk është persekutuar, se vëllai i tij Myzafer Trebeshina ka qene sekretar i pare i partisë se një rrethi dhe anëtar apo kandidat i Komitetit Qendror te Partisë se Punës (siç ka qene ta zëmë edhe Mehmet Elezi, sot ambasador i te vetëquajturve antikomuniste). Thua Bedri Çoku nuk e dinte se për njerëzit qe kishin një kontribut te veçante personal gjate luftës, megjithëse nga familja dikush e pësonte, dënohej e burgosej, ai nuk kishte pasoja tepër te renda. Se mos është rasti i vëllezërve Trebeshina i pari dhe i fundit?!
Dihet se kush ishte Tuk Jakova për klikën e Hoxha - Shehu- Kapo-Myftiu (ky i fundit i ka spiunuar Tukun e Bedri Spahiun tek Enver Hoxha), e megjithatë Kol Jakova vazhdoi të jetë shkrimtar i nderuar, sepse ky kishte një kontribut personal që nuk mund ti mohohej. Tani i duhet përmendur Kole Jakoves (ndjesë pastë) fakti se nuk qënka persekutuar edhe pse vëllain e kishte armikun më të egër të Enver Hoxhes.
Të tilla naivitete në shfaqje, por qëllimkeqija në thelb nuk mund të sjellin kurrfarë dobie një lufte marroqe për të groposur një shkrimtar e për të lartësuar një tjetër mbi gur-varrin e tij. Në letërsi nuk ka nevojë për viktima të reja. Në letërsi ka vend për të gjitha ata që kanë talent e përkushtim e realizojnë vepra dinjitoze. Aq më tepër Ismail Kadare dhe Kasam Trebeshina as kanë kërkuar e as kanë nevojë për avokatë publike për të zgjidhur problemet që kanë ndër vedi. Ata të dy janë shkrimtare që, megjithë meritat e dobësitë njerëzore si të gjithë te vdekshmit e kësaj bote, e nderojnë letërsinë. Gricjet nuk janë kurrgjë përpara veprave. Janë dromca. E me këto dromca nuk ka pse të merret as Bedri Çoku dhe as të tjerët, kur për më tepër nuk janë kurrkund afër fushës së letërsisë. Janë të një fushe tjetër. Janë si mish i huaj në një polemike në mes dy shkrimtarëve me reputacion kombëtar e ndërkombëtar, të cilët nuk mund që ti vëmë në një ring imagjinar vrestelerësh për të bërë tifozllëk alla shqiptarshe. Letërsia e arti kërkojnë kulturë në bashkëbisedime e jo ulërima tifozësh në stadiume, ku çdo zë është i barabartë me një tjetër dhe më i respektuari është ai që çirret më shumë.
Një tjetër aspekt i pakëndshëm është kur për te ndërhyrë në një debat shkrimtaresh, këta lloj mbrojtësish vetanake, i japin vetes atribute të tejkaluara, ta zëmë duke përdorur edhe sot e kësaj dite etiketën e vuajtësit nën diktaturë.
Zotërinj, jemi në vitin 2008, diktatura ka ngordhur realisht në dhjetor 1990. Pra janë 17 vjet, kohë mjaftë e gjatë e me shumë rrjedhime historike. Sot po rritet një brez rinor që ka lindur në demokraci e liri, e ne vazhdojnë të flasim për vuajtje personale të afro dy dekadave më parë duke i përdorur si dekoracion. Dhe mbase, kasten harrojmë se mjaft prej atyre që kanë vuajtur, na u bënë madje nëpunës të lartë, këshilltarë shteti, ambasadorë, avokatë e tjerë. Fjala vjen a nuk është paradoks që një ish i dënuar në diktaturë, që ka 15 vjet që punon titullar nëpër ambasadat shqiptare në Europë, të vazhdoj të përshkruaj vuajtjet e tij personale sikur ato të ndodhnin sot, ndërkohë që jo pak por mijëra intelektualë shqiptarë kanë marrë udhët e mërgimit e bëjnë punët më të rëndomta për të mbijetuar. Ky brez fatkeq intelektualësh, "brezi i humbur" jetojnë golgotën e tyre shpirtërore e fizike por nuk trumbetojnë vuajtjen e veta. Pra ka lindur ndër këto 17 vjet një vuajtje e një dhembje e re dhe nuk mund të vazhdojmë të spekulojmë me retoriken e dekadave të shkuara, kur aktualisht mjaft prej të vuajturve gjetën privilegjet e kushtet, rehatinë, të cilat shumë të tjerë i humbën mbase përgjithmonë. Vuajtja nuk mund të personalizohet, ( siç bënë edhe komunistët me avazin e stërgjatë të vuajtjeve në kohën e Zogut), nuk është pronë, nuk është dekoracion, por është mësim e përvojë e cila duhet të kthehet në dhunti, çfarë mrekullisht e ka kthyer Atë Pëllumbi kur shkruante veprën "Rrno për me tregue". Pra një mësim për brezat që të mos kthehemi kurrë më pas, tek e shkuara përçudnuese që i deformonte karakteret njerëzore dhe i dhunonte fizikisht e moralisht...
Prandaj të duket e pavend stigmatizimi deri në shpërsonalizim që u bën Bedri Çoku, bashkëvuajtsve të vet Kasem Trebeshina e Tanush Kaso, aq me tepër kur Bedri Çoku vetcitohet "i vuajturi". Veç harron që lexuesit duhet ti bëjë me dije edhe faktin tjetër rrjedhues, se pas vuajtjeve Bedri Çoku na u gjend drejtori i i burgjeve, kur të tjerët në kohëra të reja, në një mënyrë apo në një tjetër, me të drejtë apo pa të drejtë, vuanin edhe ata po në njëjtat burgje...
Në krye të kresë, një drejtor burgjesh, pa qenë ndonjë kritik letërsie a shkrimtar me emër, nuk ka pse të hyjë në debatin e dy shkrimtareve shqiptarë me reputacion si Ismail Kadare e Kasem Trebeshina.
Më lejoni ta mbyll shkrimin tim me një rrëfenjë popullore:
Po zihesh dy luanë për një çështje që u takonte vetëm luanëve e ne nuk ka pse ti hyjmë në pjesë. Një dhelpër qe i pa të ziheshin, ndërhyri duke u munduar të bëjë punën e gjykatësit. Luanët e dëgjuan me durim por, më pas, kur e panë se në ç' derexhe ishin katandisur, pra ti gjykonte një dhelpër, u zemëruan më shumë e i thanë njeri tjetrit që, para se ti zgjidhnin punë në mes tyre, ishte e mira ti tregonin vendin kësaj dhelpre që kërkonte të bënte punën e gjykatësit. Dhe ja treguan ashtu siç dinë të tregojnë luanët.
Banorët e pyllit tek panë lëkurën e përgjakur të dhelprës të vërtitej në një majë lisit, thanë: " Ç' kërkojnë dhelprat në gjyqin e luanëve?!"


Gazeta NDRYSHE, E Merkure, 06 Shkurt 2008

www.traboini.com