PARLAMENT APO HANI SALO KALIT?!

“Në pësofshin gjë robt e mi, do të pergjigjesh ti Ali.“

Shkruar KOLEC TRABOINI


Ka qënë dikur në Shkodër, mbase para një shekulli, një han me nam të madh. Aty qëndronin si bujtinarë njerëzit bashke kafshët. Si të thuash ishin motelet e asaj kohe. Kaq rrëmujë kishte në atë han me dy porta, sa edhe sot e kësaj dite kur dikush vë re se diçka nuk shkon mirë, thonë, u bë si në Hanin e Salo Kalit. Nuk do të më kujtohej kurrë Hani i Salo Kalit sikur këto ditë të mos bëhej lesh e li parlamenti ynë.
Thënë hapur ky parlament është kthyer vertetë në një han me dy porta, ku nuk e merr vesh se ku janë jatakët për njerëz e ku janë grazhdët për kuajt. Ka pesëmbëdhjetë vjet kjo histori. Thamë se mësuan mënd këto vitet e fundit, thamë se u poqën nga trutë e kokës pas 97-tës, por këta po digjen e përvëlohen pa mësuar kurrgjë.. Në këto pesëmbëdhjetë vjet në atë sallë ku mblidhen përfaqesuesit e popullit, të cilët shprehin vullnetin e tij si sovran, është treguar më së miri se çfarë lloj lumpeni është infiltruar në strukturat e politikës, prej të cilave dalin organet e qeverisjes.
Shih si percipitojnë ngjarjet në këtë kuvend sherresh pa shkak apo shkaqe të stisura. Pasi që votohet për një mocion absurd kundër kryetares së parlamentit Jozefina Topalli, me një sistem elektronik të degraduar ku kryeministri i vendit shfaqet të ketë votuar kundër vetes(!!!), apo të votojnë ata socialiste që nuk ndodhën në sallë, (çfarë është për të vënë duart në kokë nga ana teknike dhe Preç Zogaj më kot e motivon), në vazhdimsinë e ditëve të punimeve që marrin të tatëpjetën, shqyhen mikrofonat, hyjnë gardistët si arbitër në një ring boksi, për të vazhduar të nesermën bilbila e buri e pas dy ditësh me një lloj sfide të padëgjuar qysh në kohën e Ali Pash Tepelenës...“ në pësofshin gjë robt e mi do të pergjigjesh ti Ali.“ Fjalë të parodizuara sipas shprehjes së socialistit Ruçi drejtuar kryeministrit Berisha.
Që jetojnë këta njerëzit tanë me të tilla mentalitete, kjo nuk është ndonjë gjë për tu çuditur, sepse janë pjellë e një sistemi që ka funksionuar një gjysëm shekulli me absurdin, por që të arrihet deri atje sa të fillojnë edhe kërcënimet për eleminime fizike, kjo është e çfarë nuk është.

* * *

Por si e pse të çuditesh për sa ndodh në Shqipëri? Se fundja kur trutë e kokës kanë lëvizur, janë me melingjit, kush e kontrollon lëvizjen e duarve. Pasi që ka dhënë ndihmesën e vet për të nxjerrë nga shinat një tren, kjo opozitë ngatrrestare, si po e ngre zërin për fatin e udhëtarëve në atë tren. Gramoz Ruçi po ngre zërin në qiell për të mbrojtur familjen e vet nga kërcënimet, po nga kush kërkon mbrojtje e siguri. Si mund të ketë siguri e mbrojtje në një shtet ku ti dhe kolegët e tu të politikës keni kontribuar ku e ku për këtë shtet anormal, ku të gjithë kanë armë, ku krimet janë sheshit, ku dhe fëmijët e tu përzihen me krimin, ku koka e organeve të akuzës me apatine e vet mbrohet me xhelozi skandaloze bash prej teje si deputet, e kjo shkon në dobi të kriminelëve e të kriminalitetit. Po fundja ku e shihni të keqen qe ka të ndrrimi një kryeprokurori a nuk mund tia thoni kete popullit shqiptar? Apo, pse te mos të rinovohen sistemet gjyqësore të cilat, pasi të kesh qëlluar me arme pa leje( jo ti ) mbi një njeri dhe e ke plagosur, të dënon me një gjobë, ta zëmë po aq sa të kesh shurruar, në gjëndje të dehur,
( prap jo ti) në lulishten e parlamentit ku mblidheni ju, kokat e kombit.
Në vënd që të diskutohen alternativa, mirë prokurorin ta ndrrojmë po mbi çfarë kriteresh do të zgjedhim një prokuror të përgjithshëm të ri, çfarë kompromisesh do të bëjmë pozitë e opozitë për të arritur në një zgjidhje të dobishme, jo për politikën por për shtetin e popullin dhe gjithnjë duke respektuar kushtetuten, gjithnjë duke menduar edhe për të nesermën.
Kjo nuk ndodh e nuk bëhët sepse partitë politike dëshërojnë të zgjedhin në krye të punëve njerëz që zgjidhin jo hallet e popullit, zbatojnë jo ligjet e shtetit, por të mbrojnë ku e ku interesat e individëve e kastave të politikës që hipin e zbresin në pushtet.
Gjithkush me të drejtë pyet: Pse ky ngerç politik për të hequr me çdo kusht kryetaren e parlamentit menjeherë sapo kjo foli hapur për ngecjen e sistemit të drejtesisë, per me teper kur permendi emrin e kryeprokurorit Sallaku. Mos vallë opozita e majtë me këtë revansh ndaj saj desh ti jepte të kuptonte se „Mbylle, se ti jo vetem nuk e heq dot kryeprokurorin por jemi ne qe te heqim ty.“ Pra nje shantazh i mirefillte.
Po a mund të kishte një zgjidhje pa mocionin Topalli. Pse e pranoi ta hedh në kuvend një mocion të tillë aleanca e djathtë në pushtet? Mos vallë të dy krahët burrnorë janë kundër një zonje, që mbase edhe nuk e ka vertetë përvojen e duhur e intuitën për të drejtuar një parlament grindavecësh ku, jo për fajin e saj, kurrkush nuk të sjell një argument e për më tepër, kurrkush nuk ka predispozitën të dëgjojë kundershtarin e ideve.
Pas tërë këtij lëmshi, ku parlamenti kthehet në peng i konfrontimeve politike,
ngrihet PDK, me një deputet z. Lesi dhe kërkon që në votbësim të hyjë kryeministri. Hajde politikë që bëhet. Për të qeshur. Shih si behët qimja tra nga deputetet. Shih si kalojnë nga një temë në një tjetër, nga një problem në një tjetër me kapercime pindarike...
Ku u nis e ku u bitis...E harruan fare kryeprokurorin Sallaku, e harruan fare zonjën Gaba, e harruan fare korrupsionin e nisën të merren me mocione pas mocionesh. Mirë këta kundërshtarët e majtë se për atë punë janë në parlament, po me ata të Partise Demo-Kristiane, aleatët e Berishës si ndodhi qe harruan ceshtjen Sallaku dhe propozojnë për mocionin Berisha. Kjo të kujton anekdotën "me kë je ti, miku im, që më ndjek me bukë në trastë, me mua apo me ariun". Hajde merre vesh me kë është PDK?! Po Berisha fare pak kohë ka që është zgjedhur, si ndryshoi kaq shpejt raporti i forcave në parlament, vetem se u tha mëndja socialisteve tu bien zilkave. Duke e bërë këtë propozim që e zë ngërç PD, që vertetë i shtie frikën edhe elektoratit që e ka zgjedhur te djathten ne pushtet, mesa duket llogaritë që bën PDK e zotit Lesi janë që, të krijoje nje situate ku të përfitojë për të ngritur sadopak pazarin e partisë së vet që ka peshë pupël ne parlament. Pra, ta jap atë votën e vet të vockël për qeverinë Berisha, në këmbim të ndonjë posti të madh ministri, se a nuk u grind kjo partia demokristiane në gjashtë muaj për një karrike funksionari. Bravo Demokristianë, më një gur kërkoni të vrisni dy zogj duke e futur të shkretën qeveri në qorrsokak, të dilni pastaj si shpëtimtarë, të kërkoni më pas thelën e fitimtarit. Fshati digjet thotë populli...ju bëni politikën e kusurit.

* * *

Ky parlamenti yne, ky Han i Salo Kalit siç thamë ne krye, prodhon sherr të madh për ca yckla të vogla, për ca çikërrima, për ca rregulla të brëndshme që qënkan shkelur nga kryetarja e kuvendit e shkon qorrazi deri në mocione për qeverinë, ta vërë vendin në krizë, e madje të bëjë lëmsh një shtet. Tashmë për këtë mynzyrë parlamantare po hyn ne valle edhe presidenti me deshiren e mire ti qetesoje sadopak gjakrat e politikaneve zullumqare.
Ky parlament prodhon gjithashtu dhe injorancë të institucionalizuar? Çdo mendje e kthjellte e pa molepsur me dogma partiake, shtron ca pyetje te thjeshta qe vertete duan spjegime. Si nuk u mblodhen kryetaret e grupeve parlamentare me nisiativen e vet e të bisedonin për çfarë është në interesin e Shqipërisë e të shqiptarëve në këtë situatë kur edhe Europa na ka në qënder të vemëndjes për çfarë bëjmë, për si sillemi e si qeverisim.. Se fundja përse ekziston parlamenti, përse i mban këto deputët populli me bukë, ky popull i varfër që nuk ka bukë për vehte. I mban për të bërë lodra fëmijësh, tu bien zileve e burive e të tundin prangat? Çfarë ishte e çfarë shprehte ai koncert lodraxhijsh? Mos jemi në një shfaqeje ëndacakësh në breg të ndonjë lumi ku nuk mund të ketë kurrfarë jehone ligji e rregulli, e ku mund ti bihet lodrës e zumpareve në mes të natës pa drojë se mund trembën zogjtë. Po këto që trëmbën nga Parlamenti i Anormalitetit nuk janë zogj por zemra nënash e baballarësh shqiptarë që e kanë frikën deri në palcë se mos po na kthehet tmerri i 97-tes, ku krimi e kriminelët bënë ligjin e shuan me mijra jetë njerëzore.
Këta deputët të këtij parlameti vertetë janë të papërgjegjëshëm sa kohë që harrojnë për çfarë ndodhen në atë vend, përse e kanë atë privilegj të flasin në emër të sovranit popull, harrojnë se i kanë zgjedhur t'u flas mendja, logjika e arsyetimi e jo të çfryjnë instikte rrugaçësh politikë. Këto skena karnevaleske, duke i rënë bilbilave e duke tundur hekurishte të bëjnë të duken fort të dyshimta edhe menyrat se si këta depute kanë ardhur në këtë foltore që përfaqson popullin.
Këta parlamentarë që të kujtojnë han-bujtanarët, këto Ali e këto Veli - atavizma të historisë, që i tregojnë fyçkat njëri-tjetrit, as nuk arrijnë të kuptojnë dëmin kolosal që i shkaktojnë çeshtjes shqiptare, jehonen e shëmtuar që bën në Europë dhe si rrjellojë minimin që i bëjnë çeshtje së Kosovës, sepse edhe kosovarët si ne, shqiptarë janë, bota vertetë nuk na lë të jetojmë bashkë por, të zezat tona ajo gjithmonë i përgjysmon në mes të dy vllezërve siamezë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Në këtë kuptim, ky popull i vuajtur brënda kufijve tanë mjeranë të 1913-tës, për çfarë i mban me bukë mundimesh e trazimesh, këto plangprishës të parlamentit, të shtetit e të kombit, qofshin në pozitë apo opozitë, këto derdimenë parlamentare që kanë shpirtin gërnjar të Ali Pashës dhe dellin e egër të Haxhi Qamilit?

3 mars 2006
Botuar ne Gazeta Shkodra: www.gazetashkodra.net



www.traboini.com