FANTAZMAT E TË DJESHMES - esè

politika nën hijen e krimit

shkruar nga KOLEC TRABOINI

Fantazmat e të djeshmes po rizgjohen, qoftë dhe në mënyrë mjerane. Fytyra e atyre që gatuanin çorbë shtrigash pak e nga pak po davariten edhe pse se dosjet ende i mbajnë të fshehura. Ajo kohë mizore gjithnjë e më shumë po shfaqet në publik me mizoritë e veta. Shkallë shkallë tablloja do të bëhët e plotë paçka se disa në pushtet a pa pushtet, veçmas partitë, parlamenti madje edhe presidenti po bëjnë çfarë është e mundur për ta mbajtur të mbuluar me njëqind e kusur pseudoargumenta.
Dosjet duhet të hapen po kush ti hapi, ata qi ka duart të zhytura në mos në gjak në pislliqet e asaj kohe. E duhet të hapen jo vetëm për politikanët por për të gjithë e për gjithçka që mizorisht është sajuar në kurriz të njerëzve të pafajshëm që u kthyen në viktima. Nuk ka pse druhemi nga dramat e reja për ata që dje kanë krijuar tragjedi dhe kanë marrë jetë. Dosjet duhen të hapen të gjitha e jo vetëm për disa që merren me politikë, ide që mediat trumbetojnë për ditë në Shqipëri, ca pro e ca kundra, por në të vertetë ka demagogji dhe së shumti nuk dëshërojnë të hapen dosjet.
E megjithatë mizoria duhet zbulohet e plotë e katarsasi duhet të vlejë për tërë shoqërinë shqiptare. Duhet të bëhet për të gjithë edhe pse e dimë se kjo nuk do të na shërojë plotësisht, sepse dihet se ajo kohë absurde me brutalitetit e egersinë e saj ka lënë vrraga te thella në kujtesën njerëzore.
E këtu nuk është fjala për një dy apo dhjetë individ por për një popull që për gjysëm shekulli u trajtua si skllav. E do të duhet ndoshta të shuhen brezat e atyre që e kanë perjetuar skllavërinë komuniste, që tmerri dalngadalë të tretet si një ëndërr e ligë dhe e largët. Ai tmerr psikologjikisht e ka dhunuar me egërsi njeriun që thellë në subkoshiencë, si traumë do ti mbetet mbase deri në vdekje.
Po të paktën pertej traumës njerëzore te tejkaluar, duhet të gjejmë një paqëtim, të zbulohet e verteta. Pse duhet të kemi frikë nga e verteta? Kujt do ti sherbente mbajtja e fshehtë e të vertetës së pushkatimit të Genc Lekës apo dhe të Vilson Blloshmit për një poezi si "Oxhaku", një poezi aq e ndjerë, e punuar me aq kujdes e ku ka admirim për ata, partizanët, që bënë heroizma gjatë luftës kundër pushtuesve, e ku nuk ka kurrfarë aludimi që të kercenonte sadopak pushtetin absurd të monistëve.
Është ndoshta rasti më i pangjarë në botë që të ekzekutohesh për një poezi që në asnjë fjalë a shprehje nuk cënon askend, asnjë pushtet e asnjë individ.
Analiza që i ka bërë poezive të poetit të ekzekutuar Genc Leka, reçensentja speciale e monstrave të sigurimit, Diana Çuli, është gjithashtu një mizori. Ajo tashmë deputete nën sqetullat e një të paskrupulli si Skender Gjinushi, kryetar i partisë SD, ish ministër i diktaturës, mund të mbrohet si të dojë, por me atë reçensë-ekspertizë që ka shkruar për poezitë e Genc Lekës që lexuam me neveri tek gazeta shqiptaro amerikane "Iliria" në Nju Jork, kjo zonjë pra, deputete e krahut te majtë të parlamentit shqiptar, gjithësesi ka qënë e para që e ka bërë pretencen për ekzekutimin e poetit.
Kushdo që lexon analize-ekspertizën e saj e kupton se ajo nxinte çfarë ishte e mbetet e pastër si drita e diellit. Në atë poezi ka dashuri e jo urrejtje, ai oxhak që djeg dru është koha, njerëzimi, populli, është rrjedhja e jetës, e nuk ka kurrfarë të mete ideologjike( për atë kohë) për çfarë Diana Çuli akuzonte ase më saktë çpifte, me porosi të xhelatëve të ministrisë së brëndshme.
O zot sa mirë që krijimet tona modeste nuk kanë kaluar në duart e saj prej monstre, sepse edhe ne do të ishin pushkatuar, se ku ka të ri në botë e jo më në Shqipërinë e mbyllur të asaj kohe, që të mos trishtohëj ndonjëherë, të mos merzitej ndonjë herë e të shkruante dy-tre vargje pesimiste pa të keq ndonjëherë...
Diana Çuli, tashmë është bërë simbol i fantazmës të së djeshmes që mbahet fshehur, gjithashtu bijë shpirtërore e Nexhmije Hoxhës. E padyshim dhe pinjolle e një ish sigurimsi.
Si dhe Nexhmija ajo mund të quhet Diana e zezë, emër që vetë e ka zgjedhur.
E mjera ajo. Fatzeza ajo që e ka lidhur emrin e saj perjetë me një vrasje mizore.
Nuk ka lumë e as det që e lan krimin e saj e jo vetëm të saj, por të gjithë atyre që me shpirt ndër dhëmbë luftojnë si bisha që dosjet të mos hapen, pa ditur se me dosje apo pa dosje, të vertetën ta varrosish shtat pash nën dhè, prap se prap ajo mbi dhè del.
E verteta nuk është një kufomë e vetmuar njerëzore, mbi të cilin pasi është bërë një krim, diku në ndonjë kënd të botës mund të fshihet e të harrohet.Kurrsësi...

nentor 2006
botuar ne gazeten "Illyria" New York
____________________________________________










Poeti
i pushkatuar
per nje poezi





GENC LEKA
OXHAKU

Bora mbulon tokën e gjërë,
Dhe natyra duket në gjumë;
Ky oxhak e dogj një pyll të tërë,
Ky oxhak ka parë ngjarje shumë!...

Dhe kur shpesh fryn era dimërore,
I kujtohen këngët partizane.
Miq ...biseda...gjurma....flokë dëbore,
Gjithçka që mbeti kësaj ane!

Ndaj oxhaku tymin nxjerr perpjetë,
Si një plak që qetë pi duhan...
në mendime bie nëpër netë;
Dhe në shpirt diçka të shtrejtë mban...

E, sa gjurmë mbeten kësaj ane
(e sa miq ka pritur ky oxhak)...
Këtu rrodhën këngë partizane
Diku rrodhën disa pika gjak!...

Bora prap mbulon tokën e gjërë,
Prap natyra duket si në gjumë;
Ky oxhak që dogj një pyll të tërë,
Është i thjeshtë po ka parë shumë!...

4 dhjetor 1965